Çfarë tha Bedri Hamza pasi Haga shtyu shpalljen e aktgjykimit?

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka reaguar pas shtyrjes së afatit për shpalljen e vendimit në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Hamza ka deklaruar se shtyrja e përsëritur e afatit për vendimin përfundimtar, sipas tij, e rikonfirmon se Gjykata Speciale po vepron më shumë si një instrument politik sesa si një institucion i drejtësisë.

Ai tha se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi po vazhdojnë të mbahen në paraburgim përmes një procesi që ai e cilësoi si të padrejtë dhe të pafund.

Sipas Hamzës, paraburgimi i zgjatur është shndërruar në një dënim të padrejtë, ndërsa shtoi se çdo ditë e vazhdimit të këtij procesi është e papranueshme dhe se data e 16 shtatorit është tepër e largët për t’i dhënë fund kësaj çështjeje.