Ditëve të fundit janë rritur zërat propagandues se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara kanë hyrë në një fazë ftohjeje.
Shkak për këtë po shihet qasja e kryeministrit Albin Kurti ndaj situatës në veri dhe pezullimi i Dialogut Strategjik me Uashingtonin.
Kurti ka theksuar se sundimi i ligjit nuk mund të negociohet, ndërsa SHBA kërkon më shumë fleksibilitet për të ruajtur stabilitetin rajonal.
“[Arsyeja e pezullimit të Dialogut të planifikuar Strategjik] është për shkak të sundimit të ligjit në veri të Kosovës, i cili rezultoi të ishte kundër strukturave ilegale serbe dhe këtu nuk mund të bëj kompromise. Nuk mund t’ia lë këtë problem brezit tuaj. Mendoj që brezi im është ai që duhet ta përfundojë këtë”, tha Kurti.
Analisti Zejnullah Jakupi tha se deklarata e Kryeministrit Albin Kurti pasqyron një qëndrim parimor për sundimin e ligjit në veri të Kosovës.
Sipas tij, Kurti e sheh këtë çështje si detyrë historike të brezit të tij, duke refuzuar çdo kompromis me strukturat ilegale serbe që do të dobësonte sovranitetin dhe rendin kushtetues.
Ai shton se ky qëndrim synon ruajtjen e parimeve të shtetformimit, edhe pse mund të sjellë tensione me aleatët strategjikë si SHBA.
“Deklarata e Kryeministrit Albin Kurti tregon një qëndrim të prerë dhe parimor në lidhje me sundimin e ligjit në veri të Kosovës. Ai e paraqet këtë çështje jo vetëm si një sfidë politike, por si një detyrë historike që i takon brezit të tij ta zgjidhë, pa e bartur përgjegjësinë te brezat e ardhshëm. Refuzimi për të bërë kompromise me strukturat ilegale serbe në veri tregon se Kurti e sheh këtë si një çështje të sovranitetit dhe rendit kushtetues, jo thjesht si pjesë e një negociate diplomatike.
Pra, qëndrimi i Kurtit mund të shihet si përpjekje për të ruajtur parimet e shtetformimit, edhe nëse kjo sjell tensione me aleatët strategjikë si SHBA, të cilët mund të kenë qasje më pragmatike në raport me situatën në veri”, u shpreh Jakupi.
Ndërsa kryeministri Albin Kurti e sheh sundimin e ligjit në veri si çështje shtetformuese dhe të panegociueshme, sipas Jakupit, SHBA dhe BE e qasen më pragmatikisht, duke kërkuar kompromise për stabilitet afatgjatë në rajon.
Ai thekson se Kurti ka të drejtë kur refuzon tolerimin e strukturave ilegale, por edhe SHBA-të kur kërkojnë fleksibilitet, pasi pa të procesi i integrimit dhe stabilizimit të Ballkanit mund të bllokohet.
“Ndërkohë që Kurti fokusohet me të drejtë në sovranitetin dhe sundimin e ligjit brenda territorit të Kosovës, SHBA dhe partnerët euroatlantikë e shohin problemin në një kontekst më të gjerë strategjik dhe rajonal. Synimi i tyre është të krijojnë një ambient stabil, të parashikueshëm dhe bashkëpunues në Ballkan, ku të gjitha shtetet – përfshirë Kosovën dhe Serbinë – të ecin drejt integrimeve në NATO dhe BE.
Këtu ka një përplasje vizionesh: Qasja e Kurtit është më shtetformuese dhe ligjore: sundimi i ligjit nuk mund të negociohet, sepse ai është themeli i shtetit.
Qasja e SHBA-ve dhe BE-së është më pragmatike dhe gjeopolitike: ruajtja e paqes dhe stabilitetit afatgjatë kërkon kompromise të ndërsjella, madje edhe kur ato duken të vështira ose të padrejta në planin afatshkurtër.
Rreziku që nënkupton kjo për SHBA-të: Kur Kosova merr pozicione të forta, si pezullimi i dialogut strategjik apo refuzimi i kërkesave të partnerëve perëndimorë, ajo rrezikon të dobësojë besueshmërinë dhe fleksibilitetin e SHBA-ve për të menaxhuar raportet në rajon. Në sytë e Uashingtonit, një partner që nuk lë hapësirë për manovrim mund ta bllokojë të gjithë procesin e integrimit dhe stabilizimit të rajonit – jo vetëm për veten, por edhe për fqinjët.
Pra, kemi dy të vërteta njëkohësisht:
Kurti ka të drejtë kur thotë se nuk mund të ketë kompromis me ligjin, sepse nëse Kosova toleron struktura ilegale, ajo rrezikon të humbasë kontrollin real mbi territorin e saj.
SHBA-të kanë të drejtë kur thonë se zgjidhja afatgjatë kërkon fleksibilitet, sepse përndryshe, procesi politik mund të ngecë ose të përshkallëzohet”, shpjegon Jakupi.
Ish-komandanti i UÇK-së, Hafir Hoxha, thotë se qëndrim i Kurtit është i argumentuar sepse gjatë mandatit të fundit në veri ka pasë përparim të dukshëm, por ai shpreh edhe keqardhjen për opozitën e cila nuk e ka mbështetutur Kurtin sa i përket veriut të Mitrovicës.
Hoxha, paralajmëron rrezikun e rikthimit të institucioneve paralele dhe ndikimit të Beogradit pas zgjedhjeve lokale në veri.
“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me pezullimin e Dialogut të planifikuar Strategjik me SHBA-në, ka theksuar:
“Arsyeja e pezullimit është sundimi i ligjit në veri të Kosovës, i cili rezultoi të ishte kundër strukturave ilegale serbe dhe këtu nuk mund të bëj kompromise. Nuk mund t’ia lë këtë problem brezit tuaj. Mendoj që brezi im është ai që duhet ta përfundojë këtë.”
Ky qëndrim është i argumentuar, ngase gjatë mandatit të fundit ka pasur përparim të dukshëm në shtrirjen e pushtetit dhe të ligjit të Republikës së Kosovës edhe në veri. Për fat të keq, kjo përpjekje nuk është shoqëruar me mbështetjen e duhur nga opozita kosovare.
Sot, kur po mbahen zgjedhjet lokale në komunat me shumicë serbe në veri, ekziston gjasa reale që aty të fitojnë strukturat politike të dirigjuara nga Beogradi. Kjo sjell rrezikun e rikthimit të praktikave të mëhershme:
• aktivizimin e institucioneve paralele serbe,
• rikthimin e postës dhe bankave të Serbisë,
• aplikimin e programeve të arsimit të Serbisë,
• pagesa e rrogave nga Beogradi,
• funksionimin e policisë serbe nën petkun civil,
• si dhe angazhimin e grupeve kriminale për aktivitete destabilizuese”, thekson Hoxha.
Ai paralajmëron se çdo qeveri e ardhshme në Kosovë do të përballet me sfida të rënda nëse Serbia rikthen strukturat paralele në veri.
Sipas Hoxhës, as pozita dhe as opozita nuk duhet të bëjnë kompromise, por të bashkëpunojnë për funksionalizimin e plotë të shtetit, në mënyrë që të ruhet stabiliteti, sovraniteti dhe perspektiva e Kosovës.
“Nëse kjo skenarizohet, është e qartë se çdo qeveri e ardhshme në Kosovë do të përballet me sfida të rënda. Madje, edhe një mandat i ri i Kryeministrit Kurti, sipas përvojës, nuk do të ketë përkrahjen e opozitës shqiptare në ruajtjen e rendit dhe ligjit në veri. Përkundrazi, ekziston rreziku që partitë opozitare të shfaqin kënaqësi të fshehtë nëse Serbia arrin të rivendosë strukturat paralele, vetëm për të sulmuar politikisht Kurtin dhe për të relativizuar arritjet e deritanishme të shtetit.
Prandaj, është imperative që kushdo që do të udhëheqë Qeverinë e ardhshme të Kosovës, të mos bëjë kompromise me Serbinë dhe strukturat e saj lokale në veri. Nuk duhet të lejohet që të zhbëhen të arriturat e deritanishme.
Kërkohet seriozitet dhe pjekuri politike kombëtare, ku si pozita ashtu edhe opozita duhet të bashkëpunojnë me institucionet legjitime të Kosovës, për të vazhduar funksionalizimin e plotë të shtetit në veri – pavarësisht se kush është fitues në zgjedhjet lokale.
Vetëm në këtë mënyrë do të garantohet stabiliteti, sovraniteti dhe perspektiva e Republikës së Kosovës” – përfundon Hafir Hoxha, ish-komandant i UÇK-së



Të tjera
Përdorni birrë për shkëlqimin e flokëve dhe lëkurës
Gratë që përdorin antibiotikë më të rrezikuara nga sëmundjet e zemrës
Duhet apo jo ta ruash bukën në frigorifer?