James Covey: UÇK-ja ishte lëvizje e decentralizuar, përbëhej nga njerëz me autoritet që shumica ishin të dhunshëm

Në Hagë po vazhdon seanca ndaj ish-krerëve të UÇK-së, teksa pyetjet për dëshmitarin James Covey i ka filluar trupi gjykues i përfaqësuar nga gjyqtari Christoph Barthe. Sipas deklaratës së dëshmitarit të cilën e lexoi gjyqtari, Covey kishte thënë që sipas mendimit të tij, UÇK-ja ishte një lëvizje tejet e decentralizuar dhe shpesh “pa lidhje në mes krahëve të saj”. Kishte thënë se UÇK-ja përbëhej nga persona kryesisht të fuqishëm dhe autonom, e që shumica ishin të dhunshëm.

Shumica prej këtyre personave, sipas dëshmitarit, kishin pak respekt ose fare për Thaçin, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Kjo është një përshtypje që e kemi marrë nga shumë burime të cilave iu kemi besuar, ose nga raportimet e OSBE-së që kanë qenë të pranishëm gjatë gjithë kohës së konfliktit, nga raportet ditore të KFOR-it dhe është një proces me osmozë i cili rezultoi në këtë përfundim me të cilin ramë dakord të gjithë”, tha Covey.

Kur u pyet se kush ishin këta persona të fuqishëm që e drejtonin UÇK-në, dëshmitari tha se ndër ta ishin Sami Lushtaku dhe Ramush Haradinaj.

Dëshmitari tha se hamendëson që vetëm një herë e ka takuar Thaçin në pranin të komandantëve të zonave.

Në dëshminë e tij që u lexua nga gjyqtari, dëshmitari kishte thënë se Thaçi ka luajtur një rol konstruktiv dhe ka ndihmuar që t’i çojnë më tej synimin e paqeruajtësve duke e ndarë mendjen, pushtetin dhe meritat me personat që kishte denoncuar më parë.

“Kryesisht bëhet fjalë për zotin Rugova të cilin më parë zoti Thaçi e kishte sharë në mënyrë dramatike dhe në fillim dukej se kishte armiqësi të konsiderueshme ndaj tij. Me kalimin e kohës dhe në kuadrin e zhvillimeve ai e ndryshoi këtë sjellje në mënyrë thelbësore brenda disa muajve. Filloi të ndante pushtetin më atë, vendin më atë dhe këtu bëhej fjalë për politikan. Si të thuash ndarja e vëmendjes është e vështirë për një politikan. Pra, ai po ndante pushtetin dhe vëmendjen me atë person të cilin e kishte sharë më parë. Nuk kam dijeni që ai të ketë patur të njëjtën armiqësi ndaj zotit Qosja por unë kryesisht e kisha ndërmend zotin Rugova”, u shpreh ai.