Gazza: Çështje e Njerëzimit

Gazza: Çështje e Njerëzimit

Prej dy vitesh, jemi dëshmitarë të një gjenocidi aktiv në territorin e Gazës.
Çdo ditë shohim vetëm një përqindje të vogël të pamjeve që qarkullojnë, dhe ato mjaftojnë për të na lënë gjurmë të thella psikike.
Nëse këto fragmente nga larg na trondisin kaq shumë, është e paimagjinueshme dhe e palogjikshme çfarë realiteti përjetohet aty.

Nëse shkruhet një histori në ditë, mijëra të tjera mbeten të pashkruara. Kështu, realiteti i gjenocidit nuk na vjen kurrë i plotë – na vjen i shtrembëruar, i censuruar dhe i thyer.
Kjo është arsyeja pse nuk duhet të mashtrohemi duke menduar se dimë gjithçka që po ndodh. Ne po shohim vetëm aq sa na lejohet të shohim.

Fatmirësisht, bota po e kupton gjithnjë e më qartë se kjo nuk është një çështje fetare apo politike.
Kjo është një çështje humane – çështje e të drejtës për jetë, për veprim, për liri.
Është çështje e moskthimit të jetës njerëzore në numra dhe statistika.
Është çështje e dinjitetit dhe barazisë njerëzore.

Prandaj, çdo diskutim që përpiqet ta relativizojë këtë realitet, bie poshtë.

Kjo që po ndodh nuk është as luftë, as vetmbrojtje por është historia e një populli të pa mëshirshëm që ushtron autoritet dhe krim ndaj njerëzimit, duke i shkelur të gjitha të drejtat dhe normat etike, që fillon nga kryesorja, e drejta për jetesë dhe liri.

Në një vend ku jeta e përditshme është ndalur moti, njerëzit – veçanërisht fëmijët – po përballen me pasojat e urisë dhe mungesës së kushteve mjekësore.

Bombardimet e pandërpresa po marrin jetë dhe po shkatërrojnë ndërtesat duke lënë rrënoja, ndërsa qytetarët përpiqen të vazhdojnë jetën e tyre të përditshme mes frikës dhe pasigurisë. Ata jetojnë pa qasje të sigurt në ushqim, ujë të pastër dhe trajtim mjekësor, duke përjetuar çdo ditë tmerrin që shkon përtej fjalëve.

Këto nuk janë thjesht lajme apo tituj me fjalën “krizë humanitare”.
Janë jetë reale që shuhen çdo ditë.
Janë fëmijë që nuk do të rriten dot, ëndrra të mbetura përgjysmë, familje të copëtuara e trauma që do trashëgohen brez pas brezi.

Ndërkohë, politika luhet në tavolina të largëta. Fjalët ndryshojnë, por përjetimet atje janë të njëjta çdo ditë.

Megjithatë, edhe pse realiteti është tronditës dhe humbjet janë të përditshme, shpresa nuk shuhet.

Përgjegjësia fillon në familje. Prindërit duhet të flasin hapur me fëmijët, t’i mësojnë të kuptojnë rëndësinë e respektit dhe empatisë, dhe t’i ndihmojnë të rriten si individë të ndërgjegjshëm. Vetëm kështu mund të shmangim formimin e brezave me tendenca narcisiste, që vendosin interesin personal mbi të mirën e të tjerëve. Kështu brezat e ri do të jenë të ndjeshëm përballë padrejtësive e do të dijnë se si të reagojnë e mos të heshtin.

Ne jemi zëri i Gazës.

Nuk kemi të drejtë të heshtim përballë kësaj dhimbjeje dhe padrejtësie që zhvillohet para syve të botës.

Çdo fjali që shkruajmë,
çdo bisedë që nxisim,
çdo ndihmë që ofrojmë —
është pjesë e një zëri që kërkon drejtësi.

Ta mbajmë këtë çështje në fokus, të flasim dhe të veprojmë —
kjo është mënyra jonë për të dhënë shpresë,
atyre që mbijetojnë mes rrënojave dhe humbjes.

Nga: Meva Gashi
Studente në drejtimin e Psikologjisë, Prishtinë.