Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha ka pritur sot në takim ambasadoren e Finlandës në Kosovë, Eevamari Laaksonen.
Temë kyçe e takimit ishin marrëdhëniet e shkëlqyera mes Kosovës dhe Finlandës, thellimi i relacioneve mes kuvendeve të të dyja vendeve dhe mundësia për forcimin e partneritetit ekonomik që nxit zhvillim dhe mirëqenie për qytetarët tanë.
Çështje e bisedës ishte edhe aktualiteti politik në Kosovë, përfshirë procesin e konstituimit të institucioneve dhe vonesat e shkaktuara nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
“Kryetari Basha dhe ambasadorja Laaksonen diskutuan gjithashtu edhe për gatishmërinë e institucioneve të Kosovës në drejtim të integrimit të komuniteteve, si dhe për rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për të avancuar këtë proces. Një pjesë e rëndësishme e bisedës iu kushtua edhe diasporës kosovare në Finlandë, e cila, siç tha kryetari Basha, mbetet urë e posaçme miqësie e vlerave dhe kulturave mes dy vendeve tona”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.
Në këtë takim, u theksua nevoja për krijimin e iniciativave që nxisin dialogun ndërmjet të rinjve dhe komuniteteve lokale, që ndihmon në ndërtimin e mirëkuptimit dhe zhdukjen e paragjykimeve te brezat e rinj.
“Miqësia ndërmjet Kosovës dhe Finlandës mbetet e fuqishme dhe me vizion të përbashkët për integrim e bashkëpunim në linjë me aspiratat tona për anëtarësim në Bashkim Evropian, si dhe për një rajon që zhvillohet në paqe, demokraci dhe prosperitet”, theksoi Basha



Të tjera
Integrimi në BE dhe NATO, synime strategjike të Kosovës
Gjërat që njerëzit e lumtur i kanë të përbashkëta
PE synon të ndalojë IA për imazhet me lakuriqësi