Lëndimi i Messit e shqetëson Argjentinën, mësohet se a do të luajë në Botëror – Ekonomia Online

Gjasat e Lionel Messit për Topin e Artë rritën për 966%

Në një vit të Kupës së Botës, fituesi i Topit të Artë nuk vendoset kurrë vetëm nga paraqitjet me klubet. Historia e këtij çmimi tregon se Botërori zakonisht është ai që e anon përfundimisht peshoren.

Nuk ka rëndësi nëse një futbollist ka zhvilluar një sezon të jashtëzakonshëm nga gushti deri në maj. Kur nis turneu më i madh i kombëtareve, gjithçka rihapet. Edhe këtë vit po ndodh e njëjta gjë. Edhe pse ndeshjet vendimtare ende nuk janë luajtur, disa paraqitje kanë ndryshuar plotësisht garën për Topin e Artë.

Rasti më i spikatur është ai i Lionel Messit. Para Kupës së Botës, ai kishte vetëm 0.97 për qind shanse për ta fituar Topin e Artë. Tani kjo shifër është rritur në 10.34 për qind.

Me fjalë të tjera, shanset e tij janë rritur më shumë se dhjetëfish, duke u përmirësuar me 966 për qind. Argjentinasi ka kaluar nga një kandidat simbolik në favoritin e pestë për çmimin.

Përpara tij renditen vetëm Harry Kane, Kylian Mbappe, Ousmane Dembélé dhe Michael Olise. Nëse Argjentina vazhdon rrugëtimin në Kupën e Botës, edhe kandidatura e Messit do të forcohet. Topi i nëntë i Artë, që dukej i pamundur vetëm një muaj më parë, është rikthyer në garë sipas të dhënave të “Betfair”.

Harry Kane mbetet favoriti kryesor me 22.27 për qind shanse. Ai ishte në krye edhe para turneut me 20.11 për qind dhe Kupa e Botës vetëm sa ia ka forcuar lehtë pozitat.

Kërcënimi më i madh për të është Kylian Mbappe. Francezi ka kaluar nga 4.36 për qind në 19.30 për qind, një rritje prej 343 për qind që e vendos si favoritin e dytë. Shtatë golat e tij në Botëror dhe ecuria e Francës kanë zbehur dyshimet që ekzistonin pas sezonit të tij me Real Madridin.

Tashmë ai ndodhet vetëm tre pikë përqindjeje pas Kane, ndërsa të dy së bashku përbëjnë mbi 41 për qind të gjasave për ta fituar Topin e Artë.

Kupa e Botës ka ringjallur edhe kandidatura të tjera.

Jude Bellingham, i cili vinte pas një sezoni zhgënjyes me Real Madridin dhe ishte larg favoritëve, ka kaluar nga 0.64 për qind në 4.26 për qind, një rritje prej 566 për qind që e fut në mesin e 10 kandidatëve kryesorë.

Edhe Erling Haaland ka bërë një kërcim të madh. Sulmuesi i Norvegjisë ka rritur shanset nga 1.92 për qind në 6.59 për qind, një rritje prej 243 për qind, falë shtatë golave të tij dhe rrugëtimit surprizues të Norvegjisë deri në çerekfinale.

Në rritje është edhe Michael Olise, i cili ka kaluar nga 8.17 për qind në 12.06 për qind. Ndërkohë, Cristiano Ronaldo është ngjitur nga 0.80 për qind në 2.79 për qind, ndërsa Vinicius Junior nga 0.97 për qind në 2.13 për qind.

Në anën tjetër janë futbollistët që kishin krijuar avantazh falë paraqitjeve me klubet, por kanë humbur terren gjatë Kupës së Botës.

Rënien më të madhe e ka pësuar Declan Rice, i cili ka zbritur nga 10.89 për qind në 3.45 për qind, një ulje prej 68 për qind.

Gjithashtu kanë humbur terren edhe Khvicha Kvaratskhelia, nga 7.26 për qind në 4.83 për qind; Raphinha, nga 1.28 për qind në 0.89 për qind; Ousmane Dembélé, nga 14.52 për qind në 12.06 për qind; si dhe Julián Álvarez, nga 1.28 për qind në 1.08 për qind.

PSG është shembulli më i mirë i ndryshimit të situatës. Para Kupës së Botës, klubi francez kishte pesë futbollistë në mesin e dhjetë favoritëve për Topin e Artë: Dembélé, Olise, Kvaratskhelia, Vitinha dhe Doué.

Tani, vetëm ata që po shkëlqejnë në Kupën e Botës kanë arritur të ruajnë pozitat e tyre në garën për çmimin më prestigjioz individual në futboll.