Investime në shëndetësi, arsim e infrastrukturë, përfshirë edhe atë në transport publik e përkrahje për fermerët u premtuan sot në Viti, në tubimin elektoral të Lëvizjes Vetëvendosje. Kryetari i kësaj partie, Albin Kurti, tha se vitiasit janë me fat që për kandidat për kryetar komune kanë Arsim Ademin, të cilin ai e cilësoi si person që do të realizojë shumë projekte, siç është ai për mungesën e ujit të pijshëm.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në tubimin elektoral në Viti, derisa premtoi mbështetjen për Arsim Ademin, kandidatin e kësaj partie për kryetar komune, tha se nga pritja që vitiasit i bënë atij, shihet fitorja e Vetëvendosjes. Derisa premtoi investime të shumta në këtë komunë, tha se ka shumë arsye që banorët e Vitisë të votojnë për kandidatin Arsim Ademi.
“Këtu ka nevojë për ujë të pijshëm, trajtim të ujërave të zeza. Problemin e ujit të pijes do ta zgjidhim përmes Gigës së Firajës. Poliklinikë specialistike, sikur në Llap. Çerdhe e shkolla me pajisje… mbështetje. Për arsim, ku ka më mirë se Arsim Ademi… Arsim Ademi do t’i ndërtojë pesë çerdhe në Viti”, tha ai.
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Vitisë, Arsim Ademi, para të pranishmëve premtoi investime në infrastrukturë, arsim e shëndetësi.
“Zotohemi sot për qeverisje të mirë dhe administratë efikase, bashkëpjesëmarrje e qytetarëve për projekte, konkurse të hapura, trajnime të vazhdueshme deri në digjitalizimin e administratës. Arsimin do ta përmirësojmë përmes çerdheve të reja. Ato do të jenë… Do të përmirësojmë kushtet në shkolla, mësimin gjithëditor, por paraprakisht krijimin e kushteve. Përfundimi dhe funksionalizimi i teatrit të qytetit, mbrojtja e ambienteve të Trashëgimisë Kulturore, mirëqenia sociale, subvencionim të lindjeve nga 100 deri në 500 euro, ndërtimi i banesave për banim të përballueshëm, mbështetje për të moshuarit, zgjidhja e problemeve me ujë të pijshëm”, theksoi ai.
Mes tjerash, Ademi tha se ka në planet e tij edhe krijimin e transportit publik të organizuar, duke shtrirë rrjetin në të gjitha fshatrat e komunës, rishikimin e planit urbanistik e mbështetjen për fermerët. Lëvizja Vetëvendosje në Viti, në këtë tubim elektoral, prezantoi edhe 29 kandidatët për Kuvendin Komunal.



Të tjera
Gjashtë mënyra të thjeshta për të pastruar trupin nga toksinat
Zbuloni ushqimet që ju mbrojnë nga i ftohti kur lëkura bëhet e thatë gjatë dimrit
Kafeina krijon varësi të rrezikshme, ja çfarë i ndodh organizmit nëse hiqni dorë prej saj