Serbia vazhdon të shqiptojë dënime minimale për krimet e luftës, duke zbehur rëndësinë e drejtësisë për viktimat dhe familjet e tyre — është ky mesazhi kryesor i reagimit të ashpër të Fondit për të Drejtën Humanitare (FHP), pas shpalljes së dënimeve në rastin e rrëmbimit dhe vrasjes së 20 civilëve boshnjakë në Shtrpce të BeH-së më 1993.
Departamenti për krime lufte pranë Gjykatës së Lartë në Beograd, në një proces të përsëritur, shpalli fajtorë Gojko Lukić, Duško Vasiljević dhe Dragana Djekiq për rrëmbimin, torturimin dhe vrasjen e civilëve të nxjerrë me forcë nga treni në linjën Beograd–Bar. Por dënimet prej vetëm 5 deri në 10 vjet burg u cilësuan nga FHP si thellësisht të padrejta dhe të papërshtatshme për një nga krimet më të rënda të luftës ndaj civilëve në territorin e ish-Jugosllavisë.
Fondi thekson se vendimi i gjykatës serbe “shkel ndjenjën e drejtësisë” dhe demonstron mungesën e vullnetit real të shtetit serb për të ndëshkuar seriozisht krimet e luftës.
“Është tronditëse që për një krim të tillë – ku u rrëmbyen dhe u vranë 20 civilë të pafajshëm, përfshirë edhe një të mitur, Senad Zeceviq – gjykata ka shqiptuar dënime që në përkthim praktik nënkuptojnë vetëm gjashtë muaj burg për secilën jetë të humbur,” thuhet në reagimin e FHP-së.
Për më shumë, FHP rikujton se ky proces gjyqësor ka zgjatur mbi shtatë vjet, ndërsa viktimat dhe familjarët e tyre kanë pritur mbi 33 vjet për drejtësi, dhe ende nuk e dinë vendndodhjen e trupave të 16 prej të vrarëve.
Megjithatë, gjatë këtij procesi u zbardhën fakte të rëndësishme që konfirmojnë se krimi ishte i planifikuar dhe se në të morën pjesë struktura shtetërore të SRJ-së. Në sallën e gjyqit dëshmoi edhe krimineli i njohur Milan Lukiq, i cili pranoi se njësia e tij “Osvetnici” ishte pjesë e Ushtrisë së Republikës Serbe (VRS).
Gjithashtu, përmes dëshmive të tjera, u vërtetua se në krim kishte marrë pjesë edhe një grua – Dragana Djekiq – duke rrëzuar pretendimet e mëhershme për përjashtimin e saj nga përgjegjësia penale.
FHP thekson se dënime të tilla të ulëta janë një tjetër provë se drejtësia për krimet e luftës në Serbi vazhdon të jetë selektive dhe pa ndjeshmëri ndaj viktimave.
“Me këtë lloj drejtësie, shteti serb nuk arrin të përmbushë as standardet më minimale të përgjegjësisë për krimet e luftës. Kjo është një fyerje për viktimat dhe për të gjithë ata që kërkojnë të vërtetën dhe drejtësinë,” përfundon deklarata.



Të tjera
Receta natyrale për shikim të mprehtë dhe shëndet të mirë të syve
Betimi i kryetarëve në veri, njohje e Kosovës së pavarur
Gabime të higjienës personale që i përsërisim përditë