13 vjet burgim për sulm dhe keqpërdorim seksual ndaj të miturave

Gjykata Themelore në Ferizaj, Departamenti për të Mitur, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurit K.S., i cili është dënuar me 13 vite burgim për kryerjen e veprave penale “Sulm seksual” dhe “Keqpërdorim seksual i personave nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare”.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Shabi Idrizi, pas administrimit të provave dhe shqyrtimit gjyqësor, u vërtetua se i pandehuri ka kryer këto vepra penale në vazhdimësi.

Ai u shpall fajtor për veprën  penale “Sulm seksual” (neni 229, paragrafi 6 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 77 të KPRK-së), iu shqiptua 10 vite burgim dhe për “Keqpërdorim seksual i personave nën moshën 16 vjeçare” (neni 235, paragrafi 1 pika 1.3 lidhur me nenin 81 të KPRK-së), iu shqiptua 4 vite burgim”, thuhet në  njoftim .

Tutje bëhet e ditur se të akuzuarit iu shqiptua një dënim unik prej 13 vjetësh burgim, në të cilin do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Ky dënim do të ekzekutohet pas hyrjes në fuqi të aktgjykimit.

Gjykata ka vendosur vazhdimin e paraburgimit ndaj të pandehurit deri në momentin kur aktgjykimi të marrë formën e prerë, por jo më gjatë se koha e dënimit të shqiptuar, në përputhje me nenin 366 paragrafi 1 pika 1.1 të KPRK-së.