“Reagimi i Gërvallës pas ngritjes së Kosovës në vendin e 65-të”

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka ndarë një lajm të rëndësishëm në rrjetin social Facebook, duke theksuar progresin domethënës që ka arritur Kosova në arenën ndërkombëtare përmes një treguesi konkret: fuqizimi i pasaportës së saj.

Sipas raportit vjetor të Indeksit të Pasaportave Henley, Republika e Kosovës është renditur në vendin e 65-të në botë për nga liria e lëvizjes, një ngritje e ndjeshme krahasuar me vitin 2021, kur ndodhej në vendin e 108-të.

Postimi i plotë:

Pasaporta e Kosovës vazhdon të ngjitet në renditjet globale. Sipas raportit vjetor në Indeksin e Pasaportave Henley, Republika e Kosovës renditet në vendin e 65-të, nga i 108-ti në vitin 2021. Progres ky që pasqyron efektin e liberalizimit të vizave Shengen dhe diplomacinë tonë të qëndrueshme e të disiplinuar me partnerët kudo në botë.

Rritja në indeks përkthehet në udhëtim më të shpejtë dhe më pak barriera për studentët, sipërmarrësit, profesionistët dhe familjet; më shumë shkëmbime akademike e kulturore; më shumë investime dhe turizëm; si dhe lidhje më të forta të bizneseve tona me tregjet evropiane dhe botërore.

Ky rezultat është gjithashtu tregues i konsolidimit institucional: standarde më të larta të sigurisë së dokumenteve, bashkëpunim më i ngushtë në menaxhimin e kufijve, modernizim i shërbimeve konsullore dhe përputhje më e mirë me praktikat ndërkombëtare.

Më shumë lëvizshmëri për qytetarët tanë. Më shumë besueshmëri dhe peshë ndërkombëtare për Republikën e Kosovës.⁩