Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka reaguar ndaj kritikave se qeveria nuk ka bërë mjaftueshëm për mbrojtjen e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.
Ai theksoi se shteti i Kosovës ka përmbushur çdo obligim ligjor në këtë drejtim, përfshirë edhe fondet për mbrojtjen e të akuzuarve.
“Të gjitha që kanë qenë të parapara me ligj për të siguruar mbrojtje për ta, fonde për të akuzuarit, të gjitha një nga një i ka plotësuar shteti i Kosovës. Për teza imagjinare që me i lëshua vetëm për publikun se shteti nuk ka bërë asgjë, tregom se cili është mekanizmi i shtetit e që ka munguar karshi këtij procesi?”, ka deklaruar Dugolli në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
Sipas tij, problemi qëndron tek vetë struktura e Gjykatës Speciale, të cilën e ka quajtur “monstrum” që nuk i përgjigjet institucioneve të Kosovës.
“Ne kemi krijuar një monstrum, Gjykatë e cila nuk i përgjigjet Kosovës, asnjë institucioni. Si është mundësia e mbikëqyrjes së këtij procesi? Asnjë – zero. Po të kish pasur vetëm një mundësi, shteti i Kosovës do ta bënte”, tha ai.
Dugolli shtoi se shteti i Kosovës nuk ka asnjë interes që krerët e UÇK-së të dënohen për krime lufte, pasi një dënim i tillë dëmton vetë luftën çlirimtare.
“Nuk është në interesin e shtetit të Kosovës që këta krerë të UÇK-së dënohen për krime lufte – nuk është, sepse dënohet një pjesë e luftës”, përfundoi ai. /teve1.info/
Të tjera
Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut: Kush fitoi dhe ku?
Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut – këta janë fituesit në komunat shqiptare!
Heroizëm shqiptar në Zvicër: Tre bashkatdhetarë shpëtojnë një grua, nderohen nga ushtria zvicerane!