Raportuesi në Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula, vlerësoi se qëndrimi i Komisionit Evropian ndaj pushtetit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, ka qenë “padrejtësisht i butë”, duke shtuar se pret që organi ekzekutiv i Bashkimit Evropian “të heqë dorezat – ose të paktën njërën prej tyre – kur flet për Serbinë”.
Picula tha për televizionin N1 se shtyrja e zgjidhjes politike për “gjendjen e pashpallur të jashtëzakonshme në Serbi” mund të rrisë rrezikun e përplasjeve më serioze.
“Për një kohë të gjatë, qëndrimi i Bashkimit Evropian – në fakt, para së gjithash i Komisionit Evropian – ndaj Beogradit të Vuçiqit ka qenë padrejtësisht i butë. Brukseli për vite me radhë ka injoruar shenjat gjithnjë e më të qarta të forcimit të autokracisë në Serbi dhe dukuritë që lidhen me të, si korrupsioni, dobësimi i institucioneve të shtetit të së drejtës dhe braktisja e vlerave themelore mbi të cilat mbështetet rendi evropian”, tha Picula.
Ai shtoi se Vuçiq për një kohë të gjatë ka pasur mbështetjen e politikanëve të njohur evropianë, para së gjithash ish-kancelares gjermane Angela Merkel, por edhe të disa politikanëve të tjerë nga vendet anëtare të BE-së, duke shtuar se “ky qëndrim po ndryshon gradualisht”.
Komisioni Evropian në raportin e tij për përparimin e Serbisë ka theksuar se vendi vazhdon të mbetet prapa sa i përket përafrimit me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian, pasi nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Po ashtu, është vënë në pah polarizimi gjithnjë e më i madh në Serbi, si pasojë e valës së protestave masive që po zgjasin që një vit.
Parlamenti Evropian në tetor miratoi një rezolutë mbi polarizimin dhe represionin në Serbi, me të cilën mbështetet e drejta e studentëve dhe qytetarëve për protesta paqësore dhe dënohet ashpër vala e dhunës nën patronazhin e shtetit, aktet e frikësimit dhe arrestimet arbitrare.
Në rezolutën “Për polarizimin dhe rritjen e represionit në Serbi, një vit pas tragjedisë së Novi Sadit”, vlerësohet se udhëheqja serbe është politikisht përgjegjëse për përshkallëzimin e represionit, normalizimin e dhunës dhe dobësimin e institucioneve demokratike në vend.
“Mua më duket se kjo është një nga fazat e këtij revolte qytetare, dhe çdo vonesë në gjetjen e një zgjidhjeje politike për këtë krizë – për këtë gjendje të jashtëzakonshme të pashpallur në Serbi – mund ta çojë gjithë vendin në rrezik më të madh nga ndonjë përplasje serioze, që thjesht mund të përfundojë me ndonjë tragjedi“, tha Picula.
Në lidhje me kërkesat e studentëve që po mbajnë bllokadën, që pushteti të shpallë zgjedhje të parakohshme parlamentare, Picula tha se nuk ka arsye të besohet se zgjedhjet e mbajtura në këto rrethana do të ishin të lira dhe të ndershme, pasi autoritetet në Serbi nuk kanë përmbushur “thuajse asnjë” nga 25 rekomandimet e vëzhguesve ndërkombëtarë.
Një ditë më parë, Vuçiq deklaroi se zgjedhjet parlamentare në Serbi do të mbahen para afatit, por nuk specifikoi se kur. / REL



Të tjera
FSK gjithmonë në shërbim të atdheut
Mexhiti e mori sot mandatin e kryetarit të Komunës së Çairit
Kushtetuta parasheh qartë mundësinë e mandatarit të dytë për formimin e qeverisë