Ejup Ahmeti i përgjigjet deputetit socialist Elton Korreshi: Nuk do të hesht kur qytetarët kërkojnë të drejtat e tyre

Ejup Ahmeti i përgjigjet deputetit socialist Elton Korreshi: Nuk do të hesht kur qytetarët kërkojnë të drejtat e tyre

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ejup Ahmeti, i është përgjigjur deklaratave të deputetit të Partisë Socialiste, Elton Korreshi, duke mbrojtur të drejtën e qytetarëve për të protestuar dhe për të shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj qeverisjes, përcjell Kosova Post.

Në reagimin e tij, Ahmeti thekson se, megjithëse është vlerësuar për punën e tij dhe ka pasur bashkëpunim institucional me Shqipërinë, kjo nuk do të thotë se duhet të heshtë përballë shqetësimeve të qytetarëve.

Ai kujton gjithashtu angazhimin e tij në mbrojtje të fermerëve shqiptarë dhe rolin si një nga organizatorët e protestës së fermerëve në vitin 2021, duke pretenduar se për këtë është sulmuar padrejtësisht nga eksponentë të mazhorancës.

“Jam qytetar i Republikës së Shqipërisë dhe nuk kam nevojë nga askush të më tregojë kur kam të drejtë të flas e kur jo. Demokracia nuk funksionon duke i duartrokitur çdo vendimi të qeverisë”, shprehet Ahmeti.
Sipas tij, pjesëmarrja në një protestë paqësore dhe demokratike është ushtrim i një të drejte themelore qytetare dhe nuk përbën sulm ndaj Shqipërisë.

Në përfundim, deputeti i Vetëvendosjes thekson se Shqipëria u përket qytetarëve të saj dhe se zëri i tyre duhet të dëgjohet.

“Shqipëria nuk është e një partie, e një qeverie apo e një politikani. Shqipëria është e qytetarëve të saj. Dhe zëri i qytetarëve duhet të dëgjohet, jo të etiketohet”, përfundon reagimi i Ahmetit.