Konjufca: S’ka koalicion me opozitën, vetëm bashkëpunim për interesin e vendit

Mandatari i dytë i propozuar nga LVV për formimin e qeverisë, Glauk Konjufca ka thënë se nuk synon të bëjë marrëveshje koalicioni me partitë opozitare, por një bashkëpunim në mënyrë që Kosova të dalë nga kriza politike.
“Nuk do të jetë një proces në të cilin ne do të kërkojmë ndonjë marrëveshje koalicioni me partitë politike, ideja ka qenë me kriju një qeveri të re me shmang zgjedhjet e menjëhershme dhe të provojmë të bashkëpunojmë me partitë politike parlamentare për ta miratuar buxhetin 2026”, tha Konjufca pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së ku u propozua për mandatar.
Ai shtoi se nëse këto dyja nuk bëhen nuk do të ishte në të mirë të Kosovës dhe pikërisht për këtë LVV-ja e propozoi si mandatar sot.
“Unë e pranova dhe e tëra që na mbetet është të shohim veprimin e presidentes së Republikës. Unë e thash nëse kjo nuk shmanget atëherë Kosova mund të ketë 5 palë zgjedhje brenda një viti, dhe kostoja është 40 milionë euro. Për t’i shmangur këto, kështu e definova pse është interes publik të shtetit të Kosovës, sepse ta keni parasysh se kur të arrijmë te momenti i presidentit nuk është i sigurt se një parlament i ardhshëm mund ta zgjidhë dhe prapë mund të kemi zgjedhje”, u shpreh Konjufca.
“Nevojitet konsensus i të gjitha forcave. Besoj se do të reflektojnë opozita dhe do ta kemi bashkëpunimin pozitiv që këto dy gjëra të ndodhin, që të shmangen zgjedhjet në dhjetor dhe votimi i buxhetit. Do ta kërkoj bashkëpunimin, por jo për qeveri me koalicione, por t’i thirrin mendjes që këto gjëra të kalojnë e pastaj bëjmë bash çka të duam”, tha Konjufca.
Albin Kurti propozon Glauk Konjufcën për mandatar të ri për kryeministër

Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Glauk Konjufcën për mandatar të dytë për formim të qeverisë së re nga kjo parti. Propozimi i Konjufcës u bë në Këshillin e Përgjithshëm të kësaj partie nga i pari i Vetëvendosjes, Albin Kurti i cili tha se këtë propozim po e bënë që vendi mos të shkojë dy herë në zgjedhje.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti propozoi që tentimi i dytë për formim të qeverisë vazhdon me kabinetin e njëjtë të propozuar veçse Kurti e merr pozitën e ministrit të Punëve të Jashtme, ndërsa Glauk Konjufca pozitën e kryeministrit.
Kurti: Për mandatar të dytë e propozoj Glauk Konjfucën
Kurti u shpreh se me propozimin e Konjufcës për mandatar të dytë të LVV opozitës po ia japin mundësinë që vendin ta kursejnë nga dy palë zgjedhje.
Madje, ai bëri edhe lutje tek partitë tjera që të mos betonohen në pozitën e bllokuesit.
Kurti: Opozitarëve iu themi ju lutem mos u betononi në pozitën e bllokuesit
Kurti: Vendi nuk duhet të shkoj në zgjedhje pa buxhet të miratuar në Kuvend
“Vendi nuk duhet të shkoj në zgjedhje pa buxhet të miratuar në Kuvend aq më pak kur qysh në fillim të vitit të ardhshëm e kemi të pazgjidhur edhe çështjen e zgjedhjes rizgjedhjes së presidentes. Nëse kjo sfidë nuk arrihet të tejkalohet brenda afatit kushtetuese vendi duhet të shkoj përsëri në zgjedhje të reja, por pa buxhet të miratuar nuk do të mund të mbaheshin as zgjedhjet”, tha ai.
Kurti: Ne jemi të gatshëm dhe të përgatitur për zgjedhje
“Lëvizja Vetëvendosje është fituese e 2025-tës, ka për të qenë fituese edhe në 2026-tën, por edhe vitet e ardhshme po duket ndihmuar nga mentaliteti i vjetruar ekstrem jo bashkëpunues i partive të tjera. Sidoqoftë, kurdoherë e në çdo rast ne jo vetëm që jemi të gatshëm për zgjedhje, por jemi edhe të përgatitur për to. Kemi dashur dhe kemi ofruar mundësi për zgjedhje qysh në qershor kur e pamë që nuk donin bashkëpunim, e kemi marr disa herë prej tyre refuzimin e ftesave për bashkëpunim gjersa na e kanë bërë të pamundshëm çfarëdo qeverisje me koalicion me ta. Jemi në këtë situatë për shkak të kalkulimeve të humbësve që po përpiqen të zvogëlojnë humbjet e tyre me këso makinacionesh, por kjo është e pamundur. Realiteti nuk ndryshohet nëse nuk e pranon atë e këta duhet t’ia pranojnë vetës faktin se kanë humbur”, theksoi kryeministri në detyrë.
Në balotazhin e 9 nëntorit, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha se partia që udhëheqë ai duhet të dal triumfuese.
Kurti: Në balotazh Vetëvendosje të dal triumfuese
“Duhet dhe do të ishte shumë mirë e më së miri për qytetarët e këtyre komunave që numri 105 pra Vetëvendosje të dal triumfuese, sepse triumfi i kandidatëve të Vetëvendosjes është fitorja vërtetë e qytetarëve e lagjeve dhe e fshtrave…Kudo ku LVV është në balotazh me LDK ose PDK këto të fundit po bëhen bashkë kundër Lëvizjes me idenë që të pamundësojnë ndryshimet edhe në nivele lokale me të vetmit për t’i dëmtuar kandidatët e Lëvizjes..Me imponime të marrëveshjes nën tavolina nga PDK, LDK dhe AAK përveçse e kanë minuar demokracinë e tyre të brendshme nuk kanë dashur t’ia dinë fare për situatat lokale në komuna ku për ta dëmtuar Vetëvendosje pranojnë të mbështesin edhe qeverisjet aktuale të cilat i kanë kritikuar e nuk kanë lënë gjë pa u thënë përgjatë rundit të parë të zgjedhjeve”, tha ai.
Më 5 nëntor, përfundon afati 10-ditor brenda të cilit presidentja e vendit, Vjosa Osmani duhet të mandatojë një kandidat tjetër për kryeministër apo të shpallë zgjedhjet e parakohshme. Ndërsa, gjatë takimit që presidentja Osmani ka zhvilluar me partitë javën e kaluar, Kurti kishte kërkruar disa ditë kohë për t’i kthyer përgjigjje nëse do të tentoj të formoj qeverinë, ndërsa partitë tjera janë rreshtuar për t’u mbajtur zgjedhjet./
Konjufca: Një qeveri pa Kurtin kompromisi më i madh që mund të bëjë LVV

I propozuari i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se populli pret që lideri partiak, njëherësh kryeministër në detyrë, Albin Kurti, të rikthehet edhe më i fuqishëm në zgjedhjet e ardhshme, pas dështimit të tij për ta formuar qeverinë e re.
Ai para anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së, pasi u propozua për kryeministër, tha se e pranoi si obligim propozimin për t’u kandiduar për kryeministër për ta miratuar buxhetin për vitin e ardhshëm.
“Një qeveri pa Albin Kurtin është kompromisi më i madh që mund të bëjë Lëvizja Vetëvendosje”, tha ai.
Kurti gjatë prezantimit të Konjufcës për kryeministër, tha se në kabinetin e ardhshëm qeveritar nëse sigurohen votat në Kuvend, ai do të marrë postin e ministrit të Punëve të Jashtme.
LVV-ja propozon Glauk Konjufcën për mandatar për qeverinë

Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar nënkryetarin e kësaj partie, Glauk Konjufca për mandatar për kryeministër të Kosovës.
“Unë marr vendin e Glaukut, e ai timin, siç jemi dakorduar bashkë mbrëmë”, tha kreu i LVV-së, Albin Kurti gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të partisë.
Kurti tha po ashtu se në këtë mënyrë mund të shmangen dy palë zgjedhje dhe Kuvendi të miratojë buxhetin për vitin 2026.
Sipas tij, nëse vendi shkon në zgjedhje në dhjetor pa buxhet, do të rrezikohej shteti.
“Caktimi i mandatarit të dytë në këto rrethana është domosdoshmëri. Le ta votojë opozita një qeveri të udhëhequr nga Glauku”, në mënyrë që të procedohet buxheti i shtetit nga një qeveri fuqiplotë, tha Kurti.
Kjo mbledhje e LVV-së vjen vetëm një ditë para se të kalojë afati 10-ditor i presidentes Vjosa Osmani, për t’i dhënë dikujt mandatin për formimin e Qeverisë së re të Kosovës apo për të shpallur zgjedhje të reja.
Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e cilësoi si “shfaqje teatrale” mbledhjen e LVV-së, që i cilësoi si “mandatar pa numra, pa shumicë e pa legjitimitet demokratik”.
“Dua të besoj se presidentja e Republikës, do të respektojë vullnetin e shumicës shqiptare, para mbledhjeve propaganduese të partive me mandatarë plot por pa shumicë paralamentare”, shkroi ai në Facebook.
Osmani u takua me përfaqësuesit e partive politike më 31 tetor për të diskutuar për çështjen e mandatarit dhe të zgjedhjeve.
Pas mbledhjes, Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës argumentuan se nuk ka shumicë dhe se zgjedhjet duket të jenë opsion. Ndërkaq, Kurti nuk u prononcua për media.
Pas takimit, Osmani tha se Kurti i kishte kërkuar një takim para 5 nëntorit – kur përfundon periudha 10-ditore – për të parë nëse mund të formohet shumica. Osmani tha se Kushtetuta e obligon që ajo të bëjë çmos që të shmangen zgjedhjet.
Kurti ishte mandatuar më 11 tetor nga Osmani për të formuar ekzekutivin e ri.
Partia e tij ka fituar zgjedhjet e 9 shkurtit, por nuk ka siguruar ulëse të mjaftueshme në Kuvend që do t’i mundësonin që të formonte Qeverinë pa bashkëpunim me partitë e tjera.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit, PDK-ja ka fituar 24 ulëse, LDK-ja 20, AAK-ja pesë dhe tre deputetë ka Nisma Socialdemokrate, që në zgjedhje garoi në listë të përbashkët me AAK-në.
Lista Serbe ka nëntë nga dhjetë ulëset e garantuara për minoritetin serb, një e ka partia e Nenad Rashiqit dhe dhjetë ulëse të tjera i kanë fituar përfaqësuesit e minoriteteve të tjera.
VV-ja e mandaton Glauk Konjufcën për kryeministër

Lëvizja Vetëvendosje e ka mandatuar Glauk Konjufcën për kryeministër të qeverisë së re.
Ky është vendimi që është marrë ditën e sotme në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm.
Nuk dihet nëse partia në pushtet i ka siguruar numrat, megjithatë emri i Konjufcës është miratuar.
“E bëj këtë propozim jo për të bërë lëshim. Pas diskutimeve të zgjeruara e të thelluara në kryesinë e VV-së, unë do të propozoj si kryetar i VV-së që mandatin e dytë për krijimin e qeverisë t’ia japim nënkryetarit, Glauk Konjufca”, tha Kurti mes tjerash.
Tash VV-ja ka 10 ditë për ta dërguar në Kuvend përbërjen e qeverisë së re dhe për t’i siguruar numrat.
“Do ta mësoni kur të zbres poshtë” – Konjufca flet nëse do jetë mandatar i ri për kryeministër

Lëvizja Vetëvendosje po mban mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të partisë, një ditë para afatit të fundit për mandatarin e ri për kryeministër të vendit.
Deputeti i LVV-së, Glauk Konjufca nuk dha detaje derisa u pyet nga mediat nëse do të jetë ai mandatari i ri për kryeministër të vendit, transmeton KosovaPress.
“Do ta mësoni kur të zbres poshtë”, tha shkurtimisht Konjufca.
Kujtojmë se Kuvendi i Kosovës u konstituua me 10 tetor, tetë muaj pas zgjedhjeve nacionale të 9 shkurtit.
LVV-ja mban mbledhje për caktimin e mandatarit për kryeministër

Lëvizja Vetëvendosje mban të martën mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm për të caktuar mandatarin për kryeministër të Kosovës.
Nga Lëvizja Vetëvendosje konfirmuan për Radion Evropa e Lirë se mbledhja do të mbahet duke nisur nga ora 12:00.
Është e paqartë se kush do të jetë kësaj radhe mandatari për kryeministër, pasi kreu i LVV-së, Albin Kurti, më 26 tetor dështoi të siguronte 61 vota për formimin e ekzekutivit të ri.
Kjo mbledhje e LVV-së vjen vetëm një ditë para se të kalojë afati 10-ditor i presidentes Vjosa Osmani, për t’i dhënë dikujt mandatin për formimin e Qeverisë së re të Kosovës apo për të shpallur zgjedhje të reja.
Osmani u takua me përfaqësuesit e partive politike më 31 tetor për të diskutuar për çështjen e mandatarit dhe të zgjedhjeve.
Pas mbledhjes, Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës argumentuan se nuk ka shumicë dhe se zgjedhjet duket të jenë opsion. Ndërkaq, Kurti nuk u prononcua për media.
Pas takimit, Osmani tha se Kurti i kishte kërkuar një takim para 5 nëntorit – kur përfundon periudha 10-ditore – për të parë nëse mund të formohet shumica.
Osmani tha se Kushtetuta e obligon që ajo të bëjë çmos që të shmangen zgjedhjet.



Të tjera
12 mënyra për të rënë në peshë pas moshës 40-vjeçare
Shkelje e sovranitetit dhe su*lm
Serbia po ta njihte nesër Kosovën, do të hynim në BE