Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në fshatin Gollubovc të Malishevës, ku një person i dyshuar ka vrarë dy të tjerë, që rezultuan të jenë vëllezërit e gruas së tij.
I dyshuari, Astrit Isufi, është tashmë në arrati dhe është emër i njohur për organet e hetuesisë në vend. Viktimat, Driton Morina dhe Naim Morina, nuk i përballuan plagët nga arma e zjarrit dhe ndërruan jetë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare.
Sipas informacionit të siguruar nga hetuesia, gruaja e të dyshuarit – dhe motra e viktimave – ka qenë në veturë me të në momentet kritike kur ka ndodhur krimi.
Policia ka intervistuar disa persona në cilësinë e dëshmitarëve, përfshirë familjarë të viktimave. Hetimet paraprake tregojnë se Isufi kishte shkuar fillimisht në shtëpinë e viktimave për të marrë gruan e tij. Pasi u largua disa metra, ai është kthyer dhe ka hapur zjarr ndaj dy vëllezërve që ndodheshin para derës së shtëpisë.
I dyshuari ka pasur më parë aktakuza për “Dhunë në familje” dhe “Kanosje”. Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte kërkuar paraburgim ndaj tij më 6 prill të këtij viti, dhe më 7 prill është ngritur aktakuzë për veprat penale të dhunës në familje dhe kanosjes.
Policia vazhdon kërkimin e të dyshuarit dhe hetimet për zbardhjen e plotë të motivit dhe rrethanave të ngjarjes.



Të tjera
Hamza kërkon votën në Malishevë, premton rritje pagash dhe pensionesh
Kurti paralajmëron investim në Trepçë, thotë se do të vijë një korporatë nga një shtet aleat
Aktivistja Greta Thunberg arrestohet në protestën pro-palestineze në Londër