Shqipëria po bëhet gati për arritjen më të madhe në kualifikimet për Kampionat Botëror. Kur kanë mbetur vetëm edhe dy xhiro në Grupin K, “kuqezinjtë” janë shumë pranë sigurimit të vendit të dytë. Vendi i dytë siguron paraqitjen në plejofin e kualifikimeve për Botërorin 2026.
Pasi ka shpallur listën për ndeshjet me Andorrën dhe Anglinë, përzgjedhësi i Shqipërisë, Sylvinho, ka kërkuar përqendrim maksimal.
Ndeshja Andorrë – Shqipëri luhet më 13 nëntor, ndërsa Shqipëri – Angli më 16 nëntor.
“Po bëhen tre vjet që jemi këtu dhe po vjen një moment shumë i bukur. Po mbyllet një vit dhe më pëlqen që të vij në grumbullimin e fundit në kushte për të konkurruar për plejof. Është shumë e bukur. Deri tani është mirë dhe kemi dy ndeshje shumë të rëndësishme. Kjo është lista, nuk është se kemi 70-80 lojtarë, po i monitorojmë 40-45”, ka thënë Sylvinho në konferencë për shtyp.
Ai ka arsyetuar listën e lojtarëve, ndërsa u ndal te Nedim Bajrami që po luan pak për Rangersin në Skoci.
“Bajrami ka bërë një rrugëtim shumë të mirë me ne. Prej tre vjetësh kush është golashënuesi më i mirë i yni? Është Bajrami me shtatë gola. Pastaj Asani me gjashtë, Manaj me katër. Bajrami më jep besim kur del në fushë. E vërtetë që nuk jam i kënaqur as unë që ai nuk po luan”, ka shtuar tekniku brazilian.
Sylvinho fokusin e ka te ndeshja me Andorrën. Me fitore ndaj saj dhe me fitore të Anglisë ndaj Serbisë në të njëjtën kohë, kuqezinjtë sigurojnë plejofin.
“Unë e di dhe lojtarët e dinë që është një ndeshje e vështirë. Lojtarët e Andorrës luajnë me zemër e shpirt, mbrohen 90 minuta dhe japin 100 për qind nga vetja. Nuk do të jetë e thjeshtë për të fituar. Kemi bërë rrugëtim të mirë deri tani, kemi humbur një ndeshje. Deri këtu, kemi mundësi të shkojmë në plejof. Pres ndeshje me intensitet të lartë, ndeshje të vështirë 100 për qind, ua them të gjithëve. Nuk mendoj për gjëra të tjera për momentin”.
Kuqezinjtë grumbullohen të hënën në Barcelonë.



Të tjera
Agjërimi në fe të ndryshme, a e dëmton shëndetin?
Chelsea i vihet pas mbrojtësit të Realit
Ulpiana entuziaste për ndryshimin në Prishtinë