Faton Peci: Do të jem kryetar i të gjithëve, me përgjegjësi e përulësi

Do të jem kryetar i të gjithëve, me përgjegjësi e përulësi

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci, ka dalë fitues në balotazhin e mbrëmshëm në Mitrovicë, duke mposhtur kandidatin e Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri.

Pas shpalljes së rezultateve preliminare, Peci ka falënderuar qytetarët e Mitrovicës për besimin dhe mbështetjen, duke theksuar se kjo fitore është e qytetarëve dhe e vullnetit për ndryshim.

“Të dashur qytetarë të Mitrovicës, pas shpalljes së rezultatit të mbrëmshëm, dua t’ju drejtohem me një falënderim të përzemërt, meqë me besimin tuaj më keni dhënë përgjegjësinë më të madhe gjatë gjithë jetës sime politike, të shërbej tashmë si Kryetar i Mitrovicës sonë. Faleminderit për besimin, mbështetjen dhe punën e palodhshme. Kjo fitore është e juaja, është e Mitrovicës dhe e gjithë qytetarëve të saj që nuk janë lodhur së kërkuari dinjitet, drejtësi dhe qeverisje të ndershme”, ka deklaruar Peci.

Ai theksoi se do të punojë me përulësi, transparencë dhe integritet, duke premtuar luftë ndaj krimit dhe korrupsionit, si dhe llogaridhënie të plotë në çdo vendim.