Shtetet e Bashkuara do të ndërmarrin të gjitha hapat e mundshëm për ta ndihmuar Sirinë ndërsa ajo del nga sundimi disadekadësh i familjes Asad, tha presidenti Donald Trump pas një takimi me dyer të mbyllura me homologun e tij sirian Ahmed al-Sharaa, transmeton Anadolu.
Duke folur për gazetarët pas takimit që zgjati rreth një orë e gjysmë me presidentin Sharaa, Trump tha se administrata e tij do të “bëjë gjithçka që mundet për ta bërë Sirinë të suksesshme”, duke e vlerësuar Sharaan si “një udhëheqës shumë të fortë”.
“Ai vjen nga një vend shumë i vështirë dhe është një djalë i fortë. Më pëlqeu. Kaloj mirë me të, me presidentin, presidentin e ri të Sirisë”, tha presidenti amerikan në Zyrën Ovale.
Trump paralajmëroi për njoftime të reja lidhur me Sirinë, por nuk dha detaje, duke thënë vetëm se “duam të shohim që Siria të bëhet një vend i suksesshëm dhe mendoj se ky udhëheqës mund t’ia dalë”.
“Ai ka pasur një të kaluar të vështirë. Dhe sinqerisht mendoj se po të mos e kishte pasur atë të kaluar, s’do të kishte asnjë shans. Ai ka raporte shumë të mira me Turqinë, me presidentin (Recep Tayyip) Erdogan, i cili është një udhëheqës i madh. Erdogan është një udhëheqës i madh. Dhe është shumë pro asaj që po ndodh në Siri. Duhet ta bëjmë Sirinë të funksionojë”, tha ai.
“Siria është një pjesë e madhe e Lindjes së Mesme, dhe unë po ju them, mendoj se po funksionon. Dhe po, shumë mirë. Ne po punojmë gjithashtu me Izraelin, që, e dini, të kemi marrëdhënie të mira me Sirinë, të kemi marrëdhënie të mira me të gjithë. Dhe kjo po funksionon në mënyrë të mahnitshme”, shtoi ai.
Vizita e Sharaas ishte e para e një udhëheqësi sirian në Shtëpinë e Bardhë që nga pavarësia e vendit pothuajse 80 vjet më parë.
Takimi i Sharaas me Trumpin pritej të fokusohej në heqjen e sanksioneve të vendosura nga SHBA-ja gjatë sundimit të regjimit të Bashar al-Asadit, të cilat e paralizuan ekonominë siriane, përpjekjet për ta përfshirë zyrtarisht Damaskun në koalicionin kundër DEASH-it si dhe në bisedimet e mundshme për normalizim me Izraelin – një nga qëllimet e deklaruara të Trumpit.
Administrata e Trumpit ka ndërmarrë një sërë masash për të lehtësuar presionin diplomatik dhe ekonomik ndaj Sirisë dhe udhëheqësit të saj, ndërsa vendi hyn në një kapitull të ri të historisë pas më shumë se 13 vjetësh lufte civile të përgjakshme, përfshirë edhe heqjen e disa sanksioneve.
Trump e nisi procesin e heqjes së sanksioneve amerikane ndaj Sirisë pas një takimi me Sharaan në maj në Arabinë Saudite. Pas atij takimi, presidenti amerikan e përshkroi homologun sirian si “një djalë i ri, tërheqës, njeri i fortë, me të kaluar të fortë”, duke sinjalizuar një ndryshim dramatik nga dekada armiqësie që kishin karakterizuar marrëdhëniet SHBA–Siri gjatë sundimit të familjes Asad.



Të tjera
Vorbulla u kthye në bumerang, duan ta marrin rezultatin në tavolinë
Kompania CETIS pranon përgjegjësinë për gabim në disa fletëvotime
Lakra e kuqe, tri herë më shumë vlera ushqyese sesa e bardha