Catherine Connolly u betua si presidentja e dhjetë e Irlandës, pas një fitoreje të thellë në fund të tetorit, raporton Anadolu, transmeton KosovaPost.
Politikanja 68-vjeçare pason Michael D. Higginsin, mandati 14-vjeçar i të cilit përfundoi në mesnatë.
Connolly, e cila mundi kandidaten e partisë “Fine Gael”, Heather Humphreys, u inaugurua zyrtarisht në një ceremoni në Kështjellën e Dublinit, ku morën pjesë politikanë, gjyqtarë dhe të ftuar të tjerë.
Presidenca në Irlandë është një post kryesisht ceremonial dhe joekzekutiv, por që mban peshë të madhe simbolike në jetën publike irlandeze.
Një shërbesë lutjeje dhe reflektimi u mbajt si pjesë e inaugurimit, pasuar nga fjalimet e presidentes së re dhe të kryeministrit të Irlandës (Taoiseach), Micheal Martin.
Duke e uruar atë, Martin tha se “nuk ka asnjë dyshim që Catherine Connolly do t’i shërbejë mirë vendit tonë”, raportoi transmetuesi shtetëror RTE.
Ai gjithashtu i shprehu nderime Higginsit, duke e falënderuar atë dhe bashkëshorten e tij, Sabina, për “kontributin e tyre të jashtëzakonshëm” dhe duke shtuar se vendi u “ka një borxh të madh mirënjohjeje”.
Në fjalimin e saj të parë si kryetare e shtetit, Connolly tha: “Qëndroj përpara jush me përulësi dhe krenari si presidentja e dhjetë e këtij vendi të bukur. Populli ka folur dhe i ka dhënë presidentes së tij një mandat të fuqishëm për të artikuluar vizionin e tyre për një republikë të re – një republikë të denjë për emrin e saj, ku secili vlerësohet dhe larmia respektohet, ku zgjidhjet e qëndrueshme zbatohen me urgjencë dhe ku shtëpia është një e drejtë themelore njerëzore”.
Ajo kujtoi fushatën dhe lëvizjen që e mbështeti, duke thënë se ajo filloi me “një grup të vogël përfaqësuesish të zgjedhur dhe vullnetarësh që përballeshin me sfida që dukeshin të pakapërcyeshme”.
“Na u tha se hapi ishte shumë i madh, se idetë tona ishin tepër të majta – në kundërshtim me narrativën mbizotëruese”, tha ajo. “Por në biseda të përbashkëta anembanë vendit, u bë e qartë se narrativa dominuese nuk pasqyronte dhe nuk përfaqësonte vlerat dhe shqetësimet e njerëzve”, shtoi ajo.
Megjithatë, tha ajo, “bashkë me atë angazhim domethënës, pamë lindjen e shpresës. Pamë lindjen e gëzimit, së bashku me guximin dhe vendosmërinë e njerëzve për të përdorur zërin e tyre për të formësuar një vend për të cilin mund të jemi krenarë”.
Ajo gjithashtu bëri thirrje për reflektim mbi konfliktet globale, duke përmendur politikën e gjatë të neutralitetit dhe misionet paqeruajtëse të Irlandës.
“Ne kemi një histori neutraliteti dhe paqeruajtjeje”, tha ajo, duke theksuar se Irlanda është në një pozitë të mirë për të promovuar alternativa ndaj luftës.



Të tjera
Përfundon verifikimi i rezultateve në 17 komuna, vazhdon në Mitrovicë
Punime në rrjet, KEDS tregon se ku do të ketë ndërprerje të rrymës të mërkurën
Franca do t’i ndihmojë palestinezët ta hartojnë kushtetutën për shtetin e ardhshëm