Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka reaguar pas raportimeve se një nxënës në Komunën e Graçanicës është përballur me trajtim të papërshtatshëm në shkollë. Ajo ka bërë të ditur se së bashku me nënkryetarin e Komunës së Graçanicës, Leutrim Ajeti, ka vizituar familjen e nxënësit Gj. T., për të parë nga afër gjendjen e tij, transmeton KosovaPost.
Sipas nënës së fëmijës, Ana Trajkoviq, djali ishte përballur me sjellje të papranueshme nga drejtori dhe stafi i shkollës, si dhe me refuzim nga bashkëmoshatarët, për shkak se familjes së tij i ishte ndërtuar shtëpi nga Qeveria e Kosovës.
Nagavci ka konfirmuar se fëmija është rikthyer sot në procesin mësimor dhe se ka kërkuar nga drejtoria e shkollës të sigurojë përfshirjen e tij të plotë në mësim dhe në aktivitetet shkollore, në përputhje me standardet e arsimit gjithëpërfshirës.
“Çdo fëmijë, pavarësisht etnisë, gjuhës apo prejardhjes, gëzon të drejtën e garantuar për arsim”, ka theksuar Nagavci, duke kërkuar nga autoritetet lokale ndërmarrjen e hapave të nevojshëm për të garantuar që nxënësi të ndjekë pa pengesa procesin mësimor.
Ajo bëri të ditur se inspektorët e arsimit kanë vizituar sot shkollën dhe kanë kërkuar trajtim të barabartë për secilin fëmijë, në mënyrë që raste të tilla të mos përsëriten.
Nagavci theksoi se Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar për të garantuar qasje të barabartë në arsim për të gjithë fëmijët.



Të tjera
Sa më shumë vjet që kemi, aq më shumë shtojmë peshë, si të veprojmë?
Komisionerja e FSK-së dhe homologu gjerman flasin për bashkëpunim
“Big Brother VIP Kosova 4: Olta Gixhari dhe Leonora Jakupi do të japin opinionin e tyre”