Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka reaguar pas raportimeve se një nxënës në Komunën e Graçanicës është përballur me trajtim të papërshtatshëm në shkollë. Ajo ka bërë të ditur se së bashku me nënkryetarin e Komunës së Graçanicës, Leutrim Ajeti, ka vizituar familjen e nxënësit Gj. T., për të parë nga afër gjendjen e tij, transmeton KosovaPost.
Sipas nënës së fëmijës, Ana Trajkoviq, djali ishte përballur me sjellje të papranueshme nga drejtori dhe stafi i shkollës, si dhe me refuzim nga bashkëmoshatarët, për shkak se familjes së tij i ishte ndërtuar shtëpi nga Qeveria e Kosovës.
Nagavci ka konfirmuar se fëmija është rikthyer sot në procesin mësimor dhe se ka kërkuar nga drejtoria e shkollës të sigurojë përfshirjen e tij të plotë në mësim dhe në aktivitetet shkollore, në përputhje me standardet e arsimit gjithëpërfshirës.
“Çdo fëmijë, pavarësisht etnisë, gjuhës apo prejardhjes, gëzon të drejtën e garantuar për arsim”, ka theksuar Nagavci, duke kërkuar nga autoritetet lokale ndërmarrjen e hapave të nevojshëm për të garantuar që nxënësi të ndjekë pa pengesa procesin mësimor.
Ajo bëri të ditur se inspektorët e arsimit kanë vizituar sot shkollën dhe kanë kërkuar trajtim të barabartë për secilin fëmijë, në mënyrë që raste të tilla të mos përsëriten.
Nagavci theksoi se Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar për të garantuar qasje të barabartë në arsim për të gjithë fëmijët.



Të tjera
Si ta zbuloni nëse keni probleme me gjëndrat tiroide
Nisni ditën me mollë për të qenë të shëndetshëm
Të vegjlit e kafshëve që ua marrin zemrën menjëherë