BE: Instalimi i filtrave në “Kosova B” nis në prill 2026 për përmirësimin e cilësisë së ajrit

Instalimi i filtrave në “Kosova B” nis në prill 2026 për përmirësimin e cilësisë së ajrit

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka bërë të ditur se punimet për instalimin e filtrave të rinj në Termocentralin “Kosova B” do të fillojnë në prill të vitit 2026, pasi janë përmbushur të gjitha kushtet teknike dhe ligjore për realizimin e projektit.

Sipas njoftimit, projekti, i financuar nga BE-ja, synon uljen e konsiderueshme të emetimeve të pluhurit dhe oksideve të azotit (NOx), duke kontribuar drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së ajrit në Kosovë dhe rajon.

Investimi konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të infrastrukturës energjetike dhe mbrojtjes së mjedisit, ndërsa Bashkimi Evropian thekson se mbetet partneri kryesor i Kosovës, me 3.7 miliardë euro investime që nga viti 1999.

“Ky investim i madh do të zvogëlojë ndjeshëm emetimet dhe do të përmirësojë cilësinë e ajrit në të gjithë Kosovën dhe rajonin”, thuhet në njoftim, duke riafirmuar angazhimin e BE-së si ofruesi më i madh i ndihmës financiare për vendin.