Gjermania shprehu sot shqetësim të thellë për numrin e lartë të viktimave në Gaza, edhe pse më 10 tetor ka hyrë në fuqi një marrëveshje armëpushimi, raporton Anadolu, transmeton KosovaPost.
“Numri i lartë i të vrarëve dhe të plagosurve ditët e fundit është jashtëzakonisht shqetësues. Është thelbësore që të gjitha palët t’i përmbahen marrëveshjes, sepse është e rëndësishme të mos rrezikohet armëpushimi që sapo është arritur. Përpjekjet tona diplomatike janë gjithashtu të përqendruara në këtë”, tha Martin Giese, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme, në një konferencë për media.
Që nga 10 tetori, të paktën 360 palestinezë raportohet të jenë vrarë, 922 janë plagosur, dhe trupat e 617 personave të vdekur janë nxjerrë nga zona të ndryshme të Rripit të Gazës.
Ndërkohë, Giese mirëpriti planet e Izraelit për rihapjen e pikës kufitare Rafah, duke e quajtur atë një “sinjal kryesisht pozitiv”.
“Tani duhet të shohim nëse hapja do të ndodhë vërtet siç është njoftuar”, tha ai.
Izraeli deklaroi më herët gjatë ditës se porta kryesore e Gazës do të hapet në ditët e ardhshme, duke u mundësuar mijëra palestinezëve që kanë nevojë për kujdes mjekësor të largohen nga enklava e shkatërruar nga lufta përmes Egjiptit.
Giese përsëriti nevojën për pika të tjera kufitare për të lejuar më shumë ndihma humanitare të hyjnë në Gaza.



Të tjera
Si të ndaloni së ngrëni thonjtë
Katër mënyra për ta kuruar shpejt mykun e gojës
Kosova e sheh Finlandën si shembull dhe model