Stërvitja “Combat Power 26”, në Kroaci, FSK krah ushtrive aleate

Stërvitja “Combat Power 26”, në Kroaci, FSK krah ushtrive aleate

Forca e Sigurisë së Kosovës ka qenë pjesë e një ushtrimi të madh ndërkombëtar ushtarak të zhvilluar në Kroaci, ku krahas mijëra ushtarëve kroatë dhe pjesëtarëve të vendeve aleate të NATO-s, vendi ynë u përfaqësua me një kontingjent prej 45 ushtarakësh, përcjell KosovaPost.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili mori pjesë në aktivitet me ftesë të autoriteteve kroate, tha se pati mundësinë ta ndjekë nga afër ushtrimin dhe vlerësoi lart performancën e pjesëtarëve të FSK-së.

Sipas tij, Republika e Kosovës u përfaqësua denjësisht nga kontingjenti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, i përbërë nga një tog luftarak i këmbësorisë dhe elementë të mbështetjes logjistike, përfshirë shoferë dhe kuzhinierë.

Ai theksoi se pjesëmarrja në ushtrime të tilla ndërkombëtare është dëshmi e zhvillimit të vazhdueshëm të FSK-së dhe e gatishmërisë së saj për të kontribuar në misione dhe aktivitete të përbashkëta me partnerët dhe aleatët ndërkombëtarë.