Kër*cënimet me jetë ndaj presidentes Osmani, deklarohet Prokuroria Speciale

Bruksel mbahet Samiti BE-Ballkani Perëndimor, Osmani përfaqëson Kosovën

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor do të takohen sot në Bruksel. Kosova do të përfaqësohet nga presidentja Vjosa Osmani.

Takimi do kryesohet nga Presidenti António Costa dhe do të shërbejë si mundësi për të demonstruar dhe rikonfirmuar fuqinë e marrëdhënies strategjike BE–Ballkani Perëndimor dhe përfitimet që ajo u sjell qytetarëve.

Presidenti i Këshillit Evropian do ta përfaqësojë BE-në në samit së bashku me Presidentin e Komisionit Evropian. Në samit do të marrë pjesë edhe Përfaqësuesja e Lartë, Kaja Kallas.

Në përfundim të samitit do të miratohet Deklarata e Samitit BE–Ballkani Perëndimor, me të cilën pritet që partnerët e Ballkanit Perëndimor të harmonizohen.

Samiti do të theksojë rëndësinë e marrëdhënieve politike dhe ekonomike midis BE-së dhe partnerëve të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në kontekstin aktual gjeopolitik dhe nevojën për lidhje edhe më të forta mes BE-së dhe rajonit.

BE-ja do të rikonfirmojë përkushtimin e plotë dhe të pakushtëzuar ndaj perspektivës së anëtarësimit në Bashkimin Evropian për Ballkanin Perëndimor, si dhe progresin e arritur në procesin e zgjerimit, i reflektuar në raportin më të fundit të Komisionit Evropian.
Samiti do të nënvizojë rëndësinë e progresit konkret në reforma, harmonizimin me acquis-in e BE-së, bashkëpunimin rajonal, marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe pajtimin.

BE-ja është e përkushtuar t’i afrojë partnerët e Ballkanit Perëndimor më pranë Bashkimit Evropian gjatë procesit të zgjerimit.

Integrimi i tyre gradual është duke u zhvilluar në disa fusha të politikave, duke përgatitur terrenin për anëtarësim dhe duke sjellë përfitime konkrete për qytetarët.

BE-ja pritet të mirëpresë progresin konkret në integrimin gradual të partnerëve të Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët të BE-së, veçanërisht përmes Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

I nisur në vitin 2023, Plani i Rritjes synon integrimin e mëtejshëm të partnerëve të Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët të BE-së, avancimin e bashkëpunimit ekonomik rajonal, si dhe nxitjen e reformave të nevojshme të lidhura me BE-në, duke ofruar deri në 6 miliardë euro për reforma dhe investime.

Ky plan ka potencialin të përshpejtojë rritjen ekonomike në rajon gjatë dekadës së ardhshme dhe të përshpejtojë konvergjencën socio-ekonomike mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-së, me kusht që partnerët të zbatojnë reformat e kërkuara nga BE-ja.
BE-ja është partneri kryesor dhe më i besueshëm i Ballkanit Perëndimor. Ajo është partneri kryesor tregtar i rajonit, investitori dhe donatori më i madh.
Udhëheqësit e BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor janë të bashkuar në mbështetjen dhe solidaritetin e palëkundur ndaj Ukrainës. BE-ja përshëndet ata partnerë të Ballkanit Perëndimor që tashmë janë plotësisht të harmonizuar me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë (CFSP) të BE-së dhe inkurajon harmonizim të mëtejshëm nga ata që ende nuk e kanë bërë këtë.

Udhëheqësit do të diskutojnë gjithashtu bashkëpunimin në fushat e sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe rritjen e qëndrueshmërisë ndaj kërcënimeve hibride dhe kibernetike, për të kundërshtuar ndërhyrjet e huaja dhe dezinformimin.

BE-ja dhe Ballkani Perëndimor kanë përgjegjësi të përbashkët për adresimin e sfidave të përbashkëta. Ata do të diskutojnë veprime dhe përpjekje të përbashkëta në fushat kyçe: menaxhimi i migracionit, politika e vizave, lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore, menaxhimi i kufijve, lufta kundër korrupsionit, trafikimit të drogës dhe krimit të organizuar dhe parandalimi dhe luftimi i terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Samitet e rregullta BE–Ballkani Perëndimor mbahen që nga viti 2018. Samiti i fundit mes udhëheqësve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor u mbajt në Bruksel në dhjetor 2024. Samiti i radhës do të mbahet në qershor 2026 në Mal të Zi.

Agjenda;
16:30 – Mbërritjet dhe deklaratat për media
17:30 – Mirëseardhja zyrtare
17:55 – Foto familjare
18:00 – Sesioni plenar
19:30 – Konferencë për media
20:00 – Darkë pune
Në përfundim të sesionit plenar (rreth orës 19:30) – Konferencë për media në sallën e shtypit të ndërtesës Europa, me transmetim të drejtpërdrejtë.