Presidenti amerikan, Donald Trump, ka nënshkruar Ligjin për politikën e mbrojtjes prej gati 1 trilion dollarësh, pavarësisht dispozitave të futura nga Kongresi që ofrojnë ndihmë të re për Ukrainën dhe frenojnë aftësinë e tij për të ulur përfshirjen e SHBA-së në mbrojtjen e Evropës.
Ligji i Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare 2026 autorizon një rekord prej 901 miliardë dollarësh në shpenzimet ushtarake vjetore, 8 miliardë dollarë më shumë sesa kërkoi Trumpi.
Në të përfshihet edhe Kosova. Dokumenti thekson rëndësinë strategjike të Kosovës si pjesë e Ballkanit Perëndimor dhe riafirmon angazhimin e SHBA-së për paqe, stabilitet, demokraci dhe zhvillim ekonomik në rajon. Kosova përmendet si një nga gjashtë shtetet kyç të Ballkanit Perëndimor, ku stabiliteti i saj lidhet drejtpërdrejt me sigurinë evropiane dhe interesat strategjike të SHBA-së.
“Paqja e vazhdueshme, stabiliteti dhe prosperiteti në Ballkanin Perëndimor është direkt i lidhur me mundësitë për përparim demokratik dhe ekonomik që u ofrohen qytetarëve të këtyre gjashte shteteve”, thuhet në dokument.
Lexo më shumë Merz nuk e përjashton dërgimin e ushtarëve gjermanë në Ukrainë
Në një nga pikat e rëndësishme të dokumentit është qëndrimi zyrtar i Kongresit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi. Aty Marrëveshja e 2023-tës për normalizimin e marrëdhënieve konsiderohet hap pozitiv, ndërsa kërkohet përparim i menjëhershëm në Aneksin e zbatimit. Riafirmon se zgjidhja përfundimtare duhet të bazohet në njohje reciproke dhe kundërshton qartë çdo ide për ndarje territoriale, shkëmbime apo rishikim kufijsh mbi baza etnike.
Në Ligj parashikohet mbështetje e vazhdueshme për reformat demokratike dhe sundimin e ligjit në Ballkanin Perëndimor, zhvillimin ekonomik, rritjen e investimeve dhe forcimin e institucioneve.
Kosova po ashtu përfshihet në kuadrin rajonal të masave për monitorimin dhe kundërshtimin e ndikimit malinj rus dhe kinez në Ballkanin Perëndimor. Ligji mbështet rritjen e ndihmës amerikane për sigurinë kibernetike, nga e cila përfiton edhe Kosova.
Legjislacioni gjithëpërfshirës përcakton gjithçka, nga sa anije, avionë dhe sisteme raketash blihen nga SHBA-ja, te një rritje pagash për trupat, e deri te mënyra e adresimit të kërcënimeve gjeopolitike. Ai është një kompromis, që kombinon masa të veçanta të miratuara nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati, të dyja nën kontrollin e republikanëve.
Lexo më shumë Kryeministri i Luksemburgut: Duhet t’i japim Ukrainës mjetet për të përballuar luftën
Ligji përfshin po ashtu disa dispozita për të rritur sigurinë në Evropë.
Trumpi ka qenë kritik ndaj forcimit të sigurisë evropiane, duke argumentuar se aleatët duhet të paguajnë vetë. Strategjia e tij e sigurisë kombëtare, e publikuar së fundmi, shihet si miqësore ndaj Rusisë, armiqësore ndaj Bashkimit Evropian dhe një rivlerësim i marrëdhënies së SHBA-së me kontinentin.
Sipas ligjit, ofrohen 800 milionë dollarë për Ukrainën – 400 milionë dollarë në secilin prej dy viteve të ardhshme – si pjesë e iniciativës së ndihmës për sigurinë e Ukrainës, e cila paguan kompanitë amerikane për armë për ushtrinë e Ukrainës.
Ligji i mbrojtjes gjithashtu autorizon iniciativën e sigurisë së vendeve baltike dhe ofron 175 milionë dollarë për të mbështetur mbrojtjen e Letonisë, Lituanisë dhe Estonisë. Si dhe kufizon aftësinë e Departamentit të Mbrojtjes për të ulur numrin e forcave amerikane në Evropë në më pak se 76,000 dhe i ndalon komandantit evropian të SHBA-së të heqë dorë nga titulli i komandantit suprem të NATO-s.



Të tjera
Cilat janë arsyet që e shtyjnë partnerin të tradhtojë?
I rritet vlera edhe Leon Avdullahut, bëhet njëri prej shqiptarëve më të shtrenjtë në treg
Çfarë duan gratë nga burrat?