Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se çdo marrëveshje që synon përfundimin e luftës mes Rusisë dhe Ukrainës duhet domosdoshmërisht të ketë miratimin e Shteteve të Bashkuara, duke theksuar rolin vendimtar të Uashingtonit në procesin diplomatik.
Në prag të takimit me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy, që pritet të mbahet të dielën në Florida, Trump i tha Politico se pa pëlqimin e tij nuk mund të ketë një zgjidhje përfundimtare. “Ai nuk ka asgjë pa miratimin tim”, u shpreh presidenti amerikan, duke shtuar se pret diskutime konstruktive dhe një takim pozitiv.
Trump sinjalizoi gjithashtu se po zhvillon një qasje të dyfishtë diplomatike, duke shprehur besimin se kontaktet me Moskën do të ecin në drejtimin e duhur. Ai theksoi se pret të komunikojë së shpejti edhe me presidentin rus Vladimir Putin, duke lënë të kuptohet se negociatat mund të intensifikohen.
Nga ana tjetër, Zelenskyy ka konfirmuar se takimi me Trumpin do të fokusohet në një draftplan për përfundimin e luftës, i cili përfshin garanci sigurie për Ukrainën dhe elemente të një marrëveshjeje ekonomike. Në një prononcim për Axios, ai bëri të ditur se synimi kryesor është vendosja e një kornize të qartë dhe një afati kohor për mbylljen e konfliktit.
Presidenti ukrainas theksoi se procesi ka hyrë në një fazë më të avancuar, ku vendimmarrja kërkon përfshirje direkte të liderëve shtetërorë për të arritur rezultate konkrete sa më shpejt.
Ndërkohë, Kremlini ka konfirmuar se Moska dhe Uashingtoni kanë rënë dakord të vazhdojnë dialogun, duke mbajtur të hapur kanalet diplomatike për një zgjidhje të mundshme të luftës./rtk



Të tjera
Policia e Kosovës apelon: Festoni me zemër, jo me dh*unë
Juventusi publikon formacionin zyrtar për ndeshjen ndaj Pisas, Zhegrova nis nga banka rezervë
Përfundon procesi i votimit në 25 përfaqësi diplomatike, votuan 81.29%