​Vetëvendosje: Premtuan transport falas, tani biletat e autobusëve dy herë më të shtrenjta

Pas shtrenjtimit të biletave njëdrejtimëshe në Prishtinë, nga 1 korriku: nga 50 centë në 80 centë reagoi Lëvizja Vetëvendosje Lëvizja- Qendra Prishtinë.

Kjo parti vlerëson se vendimi për rritjen e çmimit të biletës së transportit urban është dëshmi se qeverisja e PDK-së dhe LDK-së në Prishtinë ka zgjedhur t’ua kalojë qytetarëve koston e dështimeve të veta.

“Pas pesë vitesh qeverisjeje, bilanci është i qartë: asnjë autobus i ri për Trafikun Urban, asnjë përmirësim i kushteve për udhëtarët, asnjë rritje e cilësisë së shërbimeve. Në vend të investimeve dhe reformave, qytetarëve u servohet vetëm një biletë më e shtrenjtë.

PDK dhe LDK kërkuan besimin e qytetarëve duke premtuar zgjidhje për trafikun dhe transportin publik. Uran Ismaili, partneri kujdestar i Përparim Ramës, premtonte transport publik falas. Sot, me PDK-në në pushtet, qytetarët nuk marrin transport falas, por një biletë dy herë më të shtrenjtë.

Sipas kësaj partie, Komuna e Prishtinës ka buxhetuar mbi 8 milionë euro për transportin publik në vitin 2026 dhe këto janë para të qytetarëve, të mbledhura nga taksat e tyre.

“Megjithatë, përveç këtij financimi, qeverisja e Përparim Ramës ka vendosur ta shtrenjtojë edhe biletën. Prishtinasit paguajnë dy herë për të njëjtin shërbim. Një herë me taksat e tyre dhe një herë me biletën e shtrenjtuar.

Ky vendim është marrë pa asnjë analizë të qartë, pa asnjë logjikë ekonomike dhe pa asnjë vizion zhvillimor. Prandaj, ne e kundërshtojmë këtë vendim dhe kërkojmë nga ekzekutivi i Kryeqytetit ta tërheqë menjëherë.

Prishtina nuk ka nevojë për bileta më të shtrenjta. Ka nevojë për më shumë autobusë, transport publik më efikas, shërbime më cilësore dhe një vizion të qartë për mobilitetin urban. Mbi të gjitha, ka nevojë për një qeverisje që i mban premtimet që u jep qytetarëve”, thuhet në reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje-Qendra Prishtinë.

Një ditë më parë, Komuna e Prishtinës njoftoi se 60 centë do të vlejë bileta e autbusit po qe se paguhet përmes sistemit digjital.

Deri tash një biletë ditore kushtonte 80 centë. Kjo do të bëhet 1.2 euro në pagesë në dorë dhe 1 euro përmes “Kuletës Digjitale”.