Lëvizja Vetëvendosje ka përmbyllur fushatën elektorale për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, në Prishtinë. Nga kryeqyteti, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, kandidati për kryeministër Albin Kurti tha se me qeverisjen e tyre territorit ia shtuan integritetin, institucioneve ua kthyen besimin, shtetit ia shtuan sovranitetin.
Ai tha se nga 1 janari paga minimale do të bëhet 425 euro e nga 1 korriku 500 euro e që tha se gratë kudo që do të punësohen në sektorin privat do ta marrin pagën minimale për 6 muaj, njëtë sikurse tha se do ta marrin edhe nënat lehona, 6 muaj nga 500 euro.
Premtoi dyfishim të shtesave për fëmijë, ndërsa tha se do t’i ndajnë 1 miliard euro për prodhimtarinë. Sipas tij, shteti do të jetë garanci, hipotekë për investimet të cilat do t’i bëjnë qytetarët e Republikës.
Ai tha se 1 miliard euro do të jenë edhe për ushtrinë. “E kemi dyfishuar numrin e ushtarëve, e çizmeve në tokë, por gjithashtu i kemi shtuar edhe sytë në qiell. Kemi 3 lloj dronësh e droni i katërt do të jetë Made in Kosova, prodhuar në vendin tonë. Ata para nesh i shitnin fabrikat për skrap e me ne do të kemi edhe fabrikë të municionit për ushtrinë tonë”, deklaroi Kurti.
Kandidati i LVV-së për kryeministër tha se me të në krye të qeverisë, asnjë vit nuk do të ngelet më pak se 1 miliard për investime kapitale.
Kurti premtoi rritje të buxhetit për barna esenciale, kontroll të plotë shëndetësor për të gjithë qytetarët. Ndërkohë tha se mandati i ardhshëm do të jetë mandat i energjisë. “Do ta modernizojmë Termocentralin Kosova B e do ta rehabilitojmë Termocentralin Kosova A”, derisa premtoi edhe investime në Trepçë.
Kreu i Vetëvendosjes tha se do të krijohet Prokuroria e re Speciale kundër krimit të organizuar e korrupsionit.
“Ne fatkeqësisht drejtësinë nuk e kemi të drejtë, drejtësinë edhe më tutje e kemi si të shtrembër e duhet ta drejtojmë. Andaj në mandatin e ardhshëm do t’i kemi jo vetëm katër vjet të hekurudhave, por edhe të drejtimit të drejtësisë. Jovetëm lokomotivën dhe vagonët t’i vendosim në binarë, por edhe drejtësinë ta vendosim në binarë. Për lokomotivat e kemi hekurudhën, për drejtësinë e kemi vetingun, Prokurorinë e re Speciale kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe Byronë e konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme”, deklaroi Kurti në mbyllje të fushatës.
Ai u bëri thirrje të gjithëve të dalin nesër për ta ushtruar të drejtën e tyre të votës.



Të tjera
Kurti tregon pesë vendimet e para nëse merr mandatin e tretë
Ndërhyrja e Serbisë pritet të ndikojë në votën e pakicës serbe në Kosovë
Policia e Kosovës apelon: Festoni me zemër, jo me dh*unë