Osmani: Shpresoj që zgjedhjet të rezultojnë me krijim të institucioneve

Shpresoj që zgjedhjet të rezultojnë me krijim të institucioneve

Presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, pasi ka hedhur votën e saj për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ka uruar për zgjedhje të qeta, të rregullta e demokratike.

 

Gjithashtu Osmani tha se shpreson që këto zgjedhje të rezultojnë me krijim sa më të shpejt të institucioneve, Kuvendit e Qeverisë.

E para e shtetit tha se shpreson që menjëherë pasi të përfundojë ky proces zgjedhor, të gjitha partitë politike do të gjejnë një rrugë përpara. “Në mënyrë që të kemi institucione funksionale, stabile dhe me legjitimitet të plotë të cilat do të marrin vendime në të mirë të qytetarëve tanë dhe të Republikës”, deklaroi Osmani.

Po ashtu, Osmani uroj që këtë të diele të ketë pjesëmarrje sa më masive  të qytetarëve me të drejt vote në zgjedhje.

“Gjithnjë zgjedhjet janë një proces i rëndësishëm demokratik ku vendimmarrja kthehet tek qytetarët tanë dhe shpresoj natyrisht që rezultatet e këtyre zgjedhjeve të rezultojnë me krijim sa më të shpejt të parlamentit e Qeverisë së Kosovës të cilat janë të domosdoshme për procese të rëndësishme të brendshme e ndërkombëtare për Republikën tonë”, tha ajo.

Osmani ka falënderuar institucionet e angazhuara në këtë proces zgjedhor si dhe mediet.

“KQZ-ja, institucionet e sigurisë e ato të drejtësisë e si gjithmonë një falënderim edhe për juve medieve”, tha Osmani.

E pyetur rreth shqetësimeve për mungesë të energjisë elektrike në disa Qendra Votimi, Osmani tha se kjo është pyetje për KQZ-në, por nga ajo çka dinë deri tani, Qendrat e Votimit janë duke funksionuar në rregull.

“Është pyetje që duhet t’ia drejtoni KQZ-së meqenëse aty janë edhe task forcat që merren me këto çështje. Nga informatat që na janë dërguar neve nga KQZ-ja, të gjitha Qendrat e Votimit janë duke funksionuar në rregull dhe jam e bindur se nëse ka pasur ndonjë parregullsi të vogël aty- këtu që KQZ-ja në bashkëpunim me të gjitha institucionet tjera ta rregullojë sa më parë që të jetë e mundur”, tha Osmani.