Policia shpëton një qytetare që ra në Ibër

Policia shpëton një qytetare që ra në Ibër

Falë reagimit të menjëhershëm të Policisë së Kosovës, një qytetare është shpëtuar mbrëmë nga rreziku për jetën pasi kishte rënë në lumin Ibër, në Mitrovicë.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, rreth orës 22:00 autoritetet janë informuar se një person i gjinisë femërore ndodhej në rrezik në afërsi të urës së re, në rrugën “Lah Nimani”.

Njësitet policore kanë reaguar me shpejtësi dhe kanë arritur ta lokalizojnë qytetaren në shtratin e lumit Ibër, në gjendje të rënduar shëndetësore.

Policia ka arritur ta nxjerrë atë nga uji, duke evituar rrezikun e mëtejshëm, ndërsa më pas ajo është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Mitrovicës.

Sipas mjekëve, gjendja shëndetësore e saj është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.

Bazuar në deklaratën e viktimës, ajo kishte rrëshqitur aksidentalisht dhe kishte rënë në lumin Ibër.

“Njësitet policore janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit”, theksohet në  njoftim.