Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, dhe bashkëshortja e tij janë kapur dhe janë transportuar jashtë Venezuelës, pas sulmeve ushtarake të SHBA-së në këtë vend.
Në një postim në platformën Truth Social, të publikuar herët të shtunën në mëngjes, Trump konfirmoi se ushtria amerikane ka kryer sulme në shkallë të gjerë kundër Venezuelës dhe udhëheqjes së saj.
““Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kryer me sukses një sulm në shkallë të gjerë kundër Venezuelës dhe udhëheqësit të saj, presidentit Nicolás Maduro, i cili, së bashku me bashkëshorten e tij, është kapur dhe është nxjerrë jashtë vendit. Ky operacion është realizuar në bashkëpunim me agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit. Detaje të tjera do të ndahen më vonë”, ka shkruar Trump, duke shtuar se në operacion janë përfshirë edhe agjenci amerikane të zbatimit të ligjit, pa specifikuar se cilat prej tyre apo rolin e saktë të tyre në këtë veprim.
Trump kujtoi gjithashtu se Nicolás Maduro ishte akuzuar në vitin 2020 nga një gjykatë amerikane për narcoterrorizëm, akuza që qeveria venezuelane i ka mohuar vazhdimisht, raporton cbsnews.
Presidenti amerikan njoftoi se më shumë detaje do të bëhen publike gjatë një konference për media, e cila pritet të mbahet sot në orën 11:00 sipas kohës lindore (ET), në Mar-a-Lago, Florida.
“Sot do të mbahet një konferencë për media në orën 11:00, në Mar-a-Lago. Faleminderit për vëmendjen ndaj kësaj çështjeje!”, ka shkruar ai.
Deri tani, nuk ka pasur reagim zyrtar nga autoritetet venezuelane lidhur me këto pretendime, ndërsa situata mbetet në zhvillim.



Të tjera
Haxhiu dhe ambasadorja e Kroacisë flasin për thellimin e bashkëpunimit
Kurti pret ambasadorin Dietz, thellohet bashkëpunimi Kosovë–Luksemburg
Metodat që i përdorin profesionistët për ta larguar stresin