Viti 2025 u karakterizua me rritje të vazhdueshme të çmimeve të konsumit në Kosovë, duke ndikuar drejtpërdrejt në uljen e fuqisë blerëse të qytetarëve. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), inflacioni vjetor arriti në 3.9 për qind, krahasuar me vitin 2024.
Nëntori dhe dhjetori rezultuan si më të shtrenjtët e vitit. Vetëm në dhjetor 2025, çmimet e konsumit ishin mesatarisht 5.3 për qind më të larta sesa në dhjetorin e vitit paraprak.
ASK bën të ditur se rritja e Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit është nxitur kryesisht nga shtrenjtimi i disa produkteve bazë dhe shërbimeve.
Rritjen më të madhe e kanë shënuar pemët me 19 për qind, energjia elektrike me 18.3 për qind, shërbimet që lidhen me pajisjet personale të transportit me 18.1 për qind, mirëmbajtja dhe riparimi i tyre me 14.7 për qind, si dhe mishi me 14.4 për qind.
Gjithashtu, rritje të ndjeshme të çmimeve janë regjistruar te pushimet e organizuara (13.5%), lëndët djegëse të ngurta si druri i zjarrit dhe peleti (13.1%), kafja, çaji dhe kakaoja (11.9%), si dhe produktet e qumështit, djathi dhe vezët (9.8%).
Ndryshe nga këto kategori, ASK raporton se gjatë vitit 2025 është shënuar rënie e çmimeve te karburantet.
Për vitin 2026, Banka Qendrore e Kosovës parashikon një normë inflacioni prej 3.4 për qind. Parashikim të ngjashëm ka edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili vlerëson se inflacioni në Kosovë gjatë vitit 2026 do të jetë rreth 3.5 për qind.
FMN thekson se çmimet e ushqimit dhe energjisë vazhdojnë të jenë faktorët kryesorë që shtyjnë inflacionin në vendet e Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore (CESEE), rajon ku bën pjesë edhe Kosova.
Sa i përket rritjes ekonomike, FMN parasheh që ekonomia e Kosovës të rritet me 3.9 për qind në vitin 2026.



Të tjera
Shqipëri-Kosovë, bashkëpunim në administrimin tatimor
Tani nuk ka pengesa për formimin e Qeverisë
Maqedonci e njofton komandantin e NATO-s për forcimin e kapacitete të FSK-së