Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF ka reaguar me shqetësim lidhur me raportimet se një individ dyshohet se ka ofruar barna për “shërimin” e fëmijëve me autizëm. KOMF i bën thirrje organeve të drejtësisë të ndërmarrin masa urgjente dhe paralajmëron për rreziqet e pretendimeve të pabazuara shkencërisht, transmeton KosovaPost.
“KOMF ngre alarmin dhe i bën thirrje organeve të rendit dhe drejtësisë që të ndërmarrin urgjentisht veprimet dhe masat sipas legjislacionit në fuqi për të ndaluar dhe ndëshkuar veprimet e tilla të rrezikshme për shëndetin e fëmijëve dhe njëherit të paligjshme”, thuhet në reagim.
KOMF gjithashtu reagon ndaj përhapjes së pretendimeve të pabazuara shkencërisht që autizmin e paraqesin si diçka që mund të “shërohet”.
“Qasje të tilla janë jo vetëm mashtruese, por edhe të rrezikshme, sepse devijojnë vëmendjen nga nevojat reale të fëmijëve: mbështetje profesionale, ndërhyrje të strukturuara, mjedise stimuluese dhe shërbime të bazuara në evidencë”, thekson koalicioni i OJQ-ve.
Sipas KOMF-it, promovimi i premtimeve mashtruese shkakton dëm direkt: krijon pritshmëri joreale, shton stigmatizimin e fëmijëve dhe presionin mbi familjet e tyre, dhe nxit keqkuptim për nevojat reale të fëmijëve me autizëm.
Koalicioni thekson gjithashtu urgjencën e informimit të përgjegjshëm, përmirësimin e politikave publike dhe investimin në kapacitete dhe shërbime që fuqizojnë fëmijët me autizëm dhe familjet e tyre. Siç thuhet:
“Vetëm përmes qasjeve të bazuara në shkencë, etikë dhe solidaritet shoqëror mund të krijohet një mjedis që respekton zhvillimin, dinjitetin dhe të drejtat e fëmijëve me autizëm”, potencohet në reagim.
KOMF thekson se çdo përpjekje për manipulim, mashtrim apo eksperimentim mbi fëmijët me autizëm është i papranueshëm dhe duhet të ndëshkohet nga organet e drejtësisë.



Të tjera
Ky ushqim ndihmon në rritjen e flokëve te gratë
4 gjëra që duhet ditur për vitaminën D
Moti ditën e martë me mjegull e ngrica, temperatura arrin -9°C