Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Serbia, pavarësisht refuzimit zyrtar për njohje, sot e ka më të qartë se kurrë më parë realitetin shtetëror të Kosovës.
Ai i bëri këto komente gjatë pjesëmarrjes së tij në Forumin Ekonomik Botëror që po mbahet në Davos të Zvicrës.
Kurti theksoi se Kosova njihet nga shumica e vendeve fqinje dhe se vetëm Serbia vazhdon të mbajë qëndrim mohues.
Megjithatë, sipas tij, Beogradi është i vetëdijshëm se realiteti politik në rajon ka ndryshuar rrënjësisht dhe se aspiratat për rikthim të kontrollit mbi Kosovën janë të parealizueshme.
“Nga katër fqinj, tre na njohin. Vetëm Serbia nuk na njeh dhe nuk duhet se do ta bëjë së shpejti. Edhe pse mendoj se e kuptojnë më mirë se kurdo herë më parë që jemi shtet. Realiteti ka ndryshuar shumë. Por ajo që duhet të ndodhë është që të shuhet ëndrra e tyre për kthim. Po ashtu edhe ajo për Perandorinë Ruse apo ajo që është tash Federata Ruse. Perandoria Ruse nuk dëshiron fqinj, por kjo është e pamundur”, ka thënë ai.
Ai shtoi se këto ambicie lidhen edhe me ndikimin rus në rajon, duke e cilësuar Federatën Ruse si një fuqi që nuk pranon fqinjësi të barabartë.
Duke folur për sigurinë rajonale, Kurti vuri në dukje se Rusia po përpiqet të ndikojë Ballkanin Perëndimor përmes Serbisë, gjë që, sipas tij, përbën kërcënim jo vetëm për Kosovën, por për gjithë Evropën.
Ai theksoi nevojën për solidaritet më të madh brenda Bashkimit Evropian dhe NATO-s, duke paralajmëruar se Rusia synon dobësimin e këtyre strukturave, ndërsa Kina po përpiqet të rrisë ndikimin global.



Të tjera
Ushtarët e KFOR-it vazhdojnë patrullimet në veri të Kosovës
Kreu i OKB-së dënon fuqishëm shkatërrimin e strukturave të OKB-së në Kudsin Lindor nga Izr@eli
Depresioni gjatë dimrit – Pse ndodh dhe si ta tejkalojmë?