“Kurti nga Davosi: Serbia e ka kuptuar se Kosova është shtet”

Kurti në Davos: Kosova dhe Shqipëria janë një komb, krahasimi me Moldavinë nuk qëndron

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i cili po merr pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, ka theksuar lidhjet e forta midis Kosovës dhe Shqipërisë, duke i cilësuar si një komb të vetëm.

Ai shtoi se, megjithëse ekzistojnë dy shtete dhe dy pasaporta, nuk ka dy kombe të ndryshme.

Duke komentuar krahasimet me Moldavinë dhe rrezikun rus, Kurti tha se situata nuk është e njëjtë për Kosovën dhe Serbinë, pasi nuk ekziston një kanton serb që kërcënon sovranitetin, siç ndodh me Transnistrinë.

“Në Kosovë, një gjë e tillë mund të kishte pasur rëndësi në pjesën veriore pesë ose dhjetë vite më parë, por tani kjo nuk ekziston”, u shpreh Kurti.

Deklarata:

Qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë ndihen si një komb i vetëm, kemi dy shtete dhe dy pasaporta, por jo dy kombe të ndryshme. Krahasimi me Moldovën dhe rrezikun nga Rusia nuk është i njëjtë për Kosovën dhe Serbinë, sepse këtu nuk ekziston një kanton serb që kërcënon sovranitetin, siç është rasti me Transnistrinë atje. Në Kosovë mund të ketë pasur diçka të ngjashme në pjesën veriore pesë ose dhjetë vite më parë, por tani kjo nuk ekziston.

​Kurti: Serbia e ka kuptuar se jemi shtet

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se Serbia më mirë se kurrë më herët e ka kuptuar se Kosova është shtet, edhe pse vazhdon ta refuzojë njohjen. Ai, në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, akuzoi edhe partitë opozitare se për shkak të mungesës së bashkëpunimit të tyre, vendi shkoi dy herë në zgjedhje vitin e kaluar. Derisa ka theksuar se populli i Kosovës, sipas tij, refuzon të kthehet “në epokën e korrupsionit”.

Ai tha se kontribuuesi i destabilitetit në rajon përmes Serbisë është Federata Ruse.

Serbia po e kupton më mirë se kurrë se jemi shtet edhe pse nuk na njeh

“Nga katër fqinj që kemi si Republika e Kosovës, tre na njohin. Vetëm Serbia nuk na njeh dhe nuk duket se do ta bëjë së shpejti. Edhe pse mendoj se e kuptojnë më mirë se kurrë që jemi shtet tjetër. Realiteti ka ndryshuar shumë. Por ajo që duhet të ndodhë është që të shuhet ëndrra e tyre për kthim. Po ashtu, kontribuuesi i saj është Perandoria Ruse, apo ajo që është tash Federata Ruse. Perandoria Ruse nuk dëshiron fqinj, por është e pamundur që të mos kesh fqinj”, tha ai.

Krahas kësaj, ai akuzoi opozitën sa i përket zgjedhjeve të reja, duke nënvizuar se mungesa e bashkëpunimit nga ana e tyre i solli zgjedhjet e reja dhe rezultatin e mirë për të, ku mori mbi 51 për qind të votave.

“Së pari, nuk shkuam në zgjedhje të reja pse donim. Ky nuk ishte qëllimi ynë, por ishte pasojë e mungesës së bashkëpunimit me opozitën. Ne fituam në shkurt 42.3 për qind, por nuk ishte e mjaftueshme. Provuam gjithçka. Provuam të takoheshim me një apo dy parti politike opozitare. Njëra nga to nuk donte të takoheshim, njëra nga to e dëshironte pozitën e kryeparlamentarit me vetëm tre deputetë. Pastaj, nuk e pranuan emrin tonë të propozuar për kryeparlamentar, megjithëse e zëvendësuam atë emër dhjetëra herë; opozita sërish iu tha ‘jo’ të gjithëve. Pastaj, unë e zëvendësova emrin tim me zëvendësin tim në parti, Glauk Konjufca, i cili ishte kryeparlamentar dhe do të jetë zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm i radhës. Prapë thanë jo. Kështu që, përgjatë vitit 2025, ishte e qartë për njerëzit se nuk kishim një qeveri jo pse nuk fituam zgjedhjet, por sepse askush nuk donte të bashkëpunonte me ne. Kështu që, mendoj se nëse do të doja zgjedhje të reja, njerëzit do të më ndëshkonin mua. Unë nuk doja zgjedhje të reja, por nëse zgjedhjet e reja ishin aty, më mirë të isha gati. Kështu që kishte pasoja nga mosbashkëpunimi i opozitës, jo nga një entuziazëm i imi për zgjedhje të reja”, shtoi Kurti.

Në anën tjetër, Kurti ka thënë se gjatë mandatit të tij qeverisës e ka trashëguar një situatë me korrupsion endemik, andaj sipas tij, populli i Kosovës refuzon që të kthehet në të ardhmen në atë gjendje.

Ai theksoi se askush brenda kabinetit qeveritar të tij s’e ka as imagjinatën më të vogël të përfshirjes në çfarëdo shkalle të korrupsionit.

“Ne e kemi trashëguar një situatë kur korrupsioni ka qenë endemik. Ka rezistencë dhe qëndrueshmëri të fortë të njerëzve që të mos kthehen kurrë më aty. Pra, shpresa jonë janë njerëzit; që ata do ta njoftojnë sistemin dhe publikun për korrupsionin që e hasin. Askush, absolutisht askush brenda kabinetit të ministrave s’e ka as imagjinatën më të vogël të përfshirjes në çfarëdo shkalle të korrupsionit, prandaj duhet të udhëheqim me shembuj”, përfundoi ai.

Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e 28 dhjetorit ka fituar 51.11 për qind të votave.

Kurti takoi përfaqësuesit nga Këshilli i Jashtëm për Marrëdhënie Ekonomike

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka zhvilluar një drekë punë në “Shtëpinë e Kosovës” në Davos, me me përfaqësues nga Këshilli i Jashtëm për Marrëdhënie Ekonomike.

Njoftimi qeveritar bën të ditur se Kurti me Alexander Kunitz dhe Maximilian Hoffmann, si dhe Drejtorin Ekzekutiv Max Gulde nga “Constellr”, Carl Holshouser nga “CoreWeave”, Dr. Tanja Wielgoß nga “SPD Economic Council” dhe Matthias Ibrahim Krug nga “Velmora Capital”, biseduan mbi integritetin konkurrues si bazë për besim, qëndrueshmëri institucionale dhe klimë më tërheqëse për investime.

“Kryeministri theksoi progresin e Kosovës në siguri, sundim të ligjit dhe stabilitet makro-fiskal si faktorë që përkthehen drejtpërdrejt në mjedis më të mirë biznesi”, thotë qeveria. 

Kryeministria tutje në njoftim ka treguar se në këtë drekë pune u diskutua pozicionimi i Kosovës si nyje për kompanitë që kërkojnë kapacitete të besueshme dhe afër tregjeve të EMENA-s.

“Kryeministri prezantoi prioritetin e investimeve publike me mbi 7 miliardë euro në transport, mjedis dhe energji për të përmirësuar logjistikën dhe parashikueshmërinë ekonomike”, thotë Qeveria e Kosovës.

Kurti nga Davosi premton transparencë dhe llogaridhënie

Kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka folur për qeverisjen e tij të deritanishme dhe planet ekonomike, politike e gjeo-strategjike në udhëheqjen e ardhshme, në një bisedë bashkë me Rory Setwart OBE në `Shtëpinë e Kosovës` në kuadër të Forumit në Davos.

Rritja e kualitetit të shërbimeve, transparenca e proceseve e llogaridhënia qenë premtimet e Kurtit nga Davosi, teksa tha se ekziston një rezistencë e madhe te njerëzit që të mos kthehen te një sistem korruptiv politik.

“Ne duhet të udhëheqim duke qenë shembull, asnjë por asnjë nga kabineti qeveritar nuk mund të kenë as imagjinatën më të vogël të punojnë në mënyrë korruptive. Kosova është shtet i monitoruar edhe nga ndërkombëtarët edhe nga sistemi ynë. Unë besoj që llogaridhënia do të jetë në nivel”, tha ai.

Kryeministri në detyrë deklaroi se politika e tyre të udhëheqjes u shtrinë kryesisht mbi politikat sociale, investimet kapitale e investimet ekonomike.

Kurti gjithashtu foli për bllokadën politike disa mujore në Kosovë, që çoi edhe në zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe solli rezultatin prej 51% të votave për LVV-në.

Kurti foli edhe për planet destabilizuese të Serbisë e Rusisë për Kosovën, duke specifikuar luftën hibride ruse gjatë fushatës së fundit zgjedhore. Ai tha se përgjigja më e mirë ndaj çdo sulmi shtetëror e hibrid është të paturit njerëzit më profesionistë në Agjencinë e Inteligjencës, në mënyrë që reagimi të jetë në nivel.

———-

Agjenda e ditës së sotme në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror në Davos ka nisur në Shtëpinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në një panel diskutimi me temën “Besimi, Lidershipi dhe Amerika 250”.

Gjatë diskutimit, Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e besimit si një element themelor për shërbimin publik dhe unitetin shoqëror, duke vënë në pah rolin e tij në etapa të ndryshme të zhvillimit shoqëror dhe shtetëror.

Ai nënvizoi se besimi ndërtohet përmes angazhimit të vazhdueshëm dhe veprimit konkret, ndërsa shtoi se optimizmi për të ardhmen buron pikërisht nga përpjekjet dhe aktivizmi i pandërprerë i shoqërive demokratike, njofton Zyra e Kryeministrisë, transmeton “Bota sot”.

Paneli ku mori pjesë kryeministri Kurti është pjesë e iniciativës së Forumit Ekonomik Botëror “Komuniteti i Besimit në Veprim”, e cila synon të nxisë reflektim dhe dialog mbi rolin e liderëve në ndërtimin e partneriteteve inovative në fusha kyçe si mjedisi, ekonomia dhe teknologjia.

Në kuadër të kësaj iniciative, liderë nga vende të ndryshme të botës diskutojnë mënyrat se si bashkëpunimi ndërkombëtar mund të përshpejtohet për t’iu përgjigjur sfidave aktuale shoqërore dhe globale, duke theksuar rëndësinë e lidershipit të bazuar në vlera dhe besim të ndërsjellë.