Kurti takon Komisioneren Kos, thotë se duhet vlerësuar progresi i Kosovës

Kurti takon Komisioneren Kos, thotë se duhet vlerësuar progresi i Kosovës

Një tjetër takim e ka zhvilluar kryeministri në detyrë, Albin Kurti në margjina të Forumit Ekonomik Botëror që po zhvillohet në Davos të Zvicrës, kësaj radhe me Komisioneren e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos.

 

Thuhet se shumë tema kanë diskutuar bashkë Kurti e Kos, derisa bëhet e ditur se kryeministri në detyrë i ka thënë Komisioneres së BE-së se asnjë vend i Ballkanit Perëndimor nuk ka qenë më i përgatitur në momentin e marrjes së statusit të vendit kandidat, andaj, sipas tij, edhe progresi demokratik i Kosovës meriton të vlerësohet me këtë status.

“U diskutua mbi progresin ekonomik dhe avancimin demokratik të vendit të cilat janë kyçe në rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian. Raporti i Vendit i Komisionit Evropian për vitin 2025 dëshmoi se Kosova ka vazhduar progresin në integrimin evropian. Asnjë vend i Ballkanit Perëndimor nuk ka qenë më i përgatitur në momentin e marrjes së statusit të vendit kandidat, andaj edhe progresi demokratik i Kosovës meriton të vlerësohet me këtë status”.

Vend në diskutimit mes dyshes, Kurti-Kos bëhet e ditur se ka qenë edhe situata gjeopolitike, Plani i Rritjes, bashkëpunimi rajonal dhe aktualiteti.

“Sa i përket bashkëpunimit rajonal, kryeministri Kurti theksoi se Kosova luan rol aktiv dhe konstruktiv dhe mbështet integrimin më të gjerë ekonomik të rajonit bazuar në vlerat dhe standardet e Bashkimit Evropian”, thotë qeveria e Kosovës në njoftimin për media për këtë takim.