Sot shënohen 20 vjet nga ndarja nga jeta e presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, një figurë që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e vendit.
Rugova njihet si arkitekt i rezistencës paqësore dhe i përpjekjeve për njohjen e pavarësisë së Kosovës, duke u bërë simbol i unitetit dhe i aspiratave kombëtare.
Trashëgimia e tij politike vazhdon të diskutohen edhe sot, ndërsa pasardhësit e tij përpiqen të ruajnë vlerat dhe vizionin që ai përfaqësonte.
Mungesa e një figure si Dr. Rugova ndjehet në skenën politike të Kosovës, ku sfidat e sotme kërkojnë udhëheqje me vizion dhe integritet, tipare që e karakterizonin presidentin historik.
Fillimisht, ai theksoi se, Rugova u shfaq në momente të rëndësishme, ku me idealet e tij ndihmoi popullin shqiptar.
“Dr. Ibrahim Rugova u ngrit, u rilind dhe u shfaq në momentet më delikate për ta ndihmuar popullin që të organizohej në një mënyrë krejtësisht të re, për të mbijetuar dhe për ta çuar përpara çështjen e vendit të kidnapuar nga serbo-sllavët, të cilët tashmë në mbarë botën njiheshin si pronarë të ligjshëm të tij. Me ndryshimin e kushtetutës së vendit, Serbia rrënoi gjithçka që ishte në favor të Kosovës si njësi përbërëse e federatës jugosllave të asaj kohe”.
Në këtë rast, Dajaku kujtoi kohën kur Kosova ra nën kontroll të Serbisë dhe betejën që e zhvilli Rugova me bashkëpunëtorët e tij për ta shpëtuar Kosovën dhe shqiptarët.
Për këtë, ai përmendi faktin se e gjithë politika e tij u zhvillua mbi tri shtylla liri, demokraci dhe pavarësi.
Pikërisht për këtë, Dr. Ibrahim Rugova, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, nisi një betejë për ta shpëtuar popullin dhe vendin nga qëllimi famëkeq i shtetit serb për zbrazjen, shfarosjen, dëbimin dhe asgjësimin e shqiptarëve, sipas plan-programeve të akademisë dhe kishës serbe, të implementuara nga politika shtetërore dhe më pas të ushtruara nga forcat ushtarake, paramilitare dhe shërbimet e sigurisë serbe.
Ai e dinte mirë që shërbimi informativ serb ishte para çdo dere e dritareje të institucioneve dhe subjekteve tona, prandaj zhvillonte një politikë të hapur, të qartë e të thjeshtë mbi tri shtylla, të cilat i përsëriste qindra herë në ditë: liri, demokraci dhe pavarësi — dhe të gjitha këto me bekimin e botës euro-atlantike”, shpjegoi Dajaku.
Më tej, ai shpjegoi se si presidenti historik fitoi betejën ndërkombëtare kundër Serbisë, derisa mori mbështetje masive nga populli.
“Rugova e fitoi betejën në arenën ndërkombëtare kundër Serbisë; çdo veprim serb ndaj Kosovës tashmë shihej i padrejtë, qëllimkeq e jodemokratik, një shkelje e të drejtave të njeriut dhe të të drejtave etnike.
Ai fitoi përkrahjen e ndërkombëtarëve, ashtu edhe përkrahjen masive të popullit. Partia të cilën e formoi u shndërrua në një lëvizje, një institucion dhe, thënë thjesht, në një parti-shtet formuese që i rrinte paralel pushtetit të dhunshëm serbo-sllav.
U formuan të gjitha institucionet që funksiononin me shumë vështirësi mbi bazën e Kushtetutës së Kaçanikut, për të mos lënë vakum në funksionimin e shtetit. U formua edhe Ministria e Mbrojtjes, për të testuar terrenin, megjithëse dihej se shërbimet serbe ishin gjithandej. Pas një periudhe të shkurtër shumë njerëz u arrestuan, e të tjerë u detyruan të largohen. Në ato kushte ishte pothuajse e pamundur të ndërtohej një organizim i armatosur rezistence, duke munguar edhe gjërat më elementare”.
Mirëpo, ai shtoi se, me vdekjen e tij, Kosovës i mbeti një boshllëk i madh.
“LDK ishte mision, lëvizje, institucion, përgjegjësi, urtësi dhe bazë për nisma të çdo lloji që diktonte nevoja e jetës. E gjithë kjo shihej në qasjen dhe performancën e Presidentit Rugova.
Institucionet e ndërtuara nga LDK nën patronatin e tij nuk u njohën kurrë nga Serbia, e madje as nga shumë marksist-leninistë-enveristë, të cilët pas luftës, edhe pse nuk i njohën, kërkonin shuarjen e tyre, ndonëse ato i kishin votuar mbi 90% e popullsisë.
E shanë dhe e quajtën tradhtar, por nuk arritën kurrë ta zbrisnin në nivelin e tyre. Ai ishte i vetmi që nuk mundi askush ta largonte nga qëllimi i tij, madje as kur i vranë bashkëpunëtorët. I përmbajtur, i përgjegjshëm, i urtë e i pathyeshëm. Hapi rrugë kur ishte e domosdoshme, si në rastin e Rambujesë.
Me vdekjen e tij, Kosovës i mbeti një boshllëk i madh. Edhe shumë prej atyre që dikur e shanin, më pas u përkulën pranë varrit të tij.
LDK-në e la të fortë, por goditjet që ajo mori nga shumë faktorë pas vdekjes së Rugovës nuk arriti t’i përballonte. Sipas formulës së Qosjes, “pushtimi i kalasë nga brenda”, e zbehu këtë gjigant të diplomacisë. LDK-ja dikur i kishte punët më lehtë sepse udhëhiqej nga një vizionar i pakrahasueshëm; sot është ndryshe, kur secili mendon se është më i mirë se tjetri, e vizionet shndërrohen në shkëndija të çastit, ku interesat personale dalin para atyre madhorëve”, përfundoi Xhevat Dajaku



Të tjera
Parashikimi i motit për të enjten
Perimet që largojnë fryrjen e stomakut
Hoxhaj: Pa reagim perëndimor, hegjemonia serbe rrezikon paqen në Ballkan