Osmani në Davos me ftesë të Trump për ceremoninë e themelimit të Bordit të Paqes

Osmani në Davos me ftesë të Trump për ceremoninë e themelimit të Bordit të Paqes

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka arritur në Davos, ku po merr pjesë në ceremoninë e themelimit të Bordit të Paqes, një iniciativë ndërkombëtare për promovimin e sigurisë dhe paqes globale.

Osmani është ftuar të jetë pjesë e këtij bordi nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, si anëtare themeluese.

“Mirëmëngjes nga Davos, ku jemi me ftesë të Presidentit Trump, në ceremoninë e themelimit të Bordit të Paqes”, ka shkruar Presidentja Osmani.

Ftesa zyrtare për pjesëmarrjen e saj është publikuar një ditë më parë nga Presidenca e Kosovës. Në deklaratën e saj, Osmani ka theksuar rëndësinë e kësaj iniciative dhe rolin e Kosovës në promovimin e paqes.

“Jam thellësisht e nderuar nga ftesa personale e Presidentit Trump për të përfaqësuar Republikën e Kosovës në Bordin e Paqes, si anëtare themeluese, krah për krah me SHBA-të në misionin për një botë më të sigurt”, ka thënë Osmani.

Ajo ka vlerësuar lidershipin e Presidentit Trump, duke e cilësuar këtë iniciativë si një hap historik në ndërtimin e paqes.

“Lidershipi i guximshëm nuk flet thjesht për paqe, ai e ndërton atë. Ashtu si Amerika që solli paqe në Kosovë, sot Kosova qëndron si aleat i palëkundur i saj për ta çuar paqen më tej”, ka shtuar Osmani.

Sipas saj, historia i mban mend liderët që ndërmarrin hapa të guximshëm për paqen, duke theksuar se Kosova është e gatshme të kontribuojë në këtë mision.

Përveç Kosovës, ftesë për të qenë pjesë e Bordit të Paqes ka marrë edhe Shqipëria.