Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka arritur në Davos, ku po merr pjesë në ceremoninë e themelimit të Bordit të Paqes, një iniciativë ndërkombëtare për promovimin e sigurisë dhe paqes globale.
Osmani është ftuar të jetë pjesë e këtij bordi nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, si anëtare themeluese.
“Mirëmëngjes nga Davos, ku jemi me ftesë të Presidentit Trump, në ceremoninë e themelimit të Bordit të Paqes”, ka shkruar Presidentja Osmani.
Ftesa zyrtare për pjesëmarrjen e saj është publikuar një ditë më parë nga Presidenca e Kosovës. Në deklaratën e saj, Osmani ka theksuar rëndësinë e kësaj iniciative dhe rolin e Kosovës në promovimin e paqes.
“Jam thellësisht e nderuar nga ftesa personale e Presidentit Trump për të përfaqësuar Republikën e Kosovës në Bordin e Paqes, si anëtare themeluese, krah për krah me SHBA-të në misionin për një botë më të sigurt”, ka thënë Osmani.
Ajo ka vlerësuar lidershipin e Presidentit Trump, duke e cilësuar këtë iniciativë si një hap historik në ndërtimin e paqes.
“Lidershipi i guximshëm nuk flet thjesht për paqe, ai e ndërton atë. Ashtu si Amerika që solli paqe në Kosovë, sot Kosova qëndron si aleat i palëkundur i saj për ta çuar paqen më tej”, ka shtuar Osmani.
Sipas saj, historia i mban mend liderët që ndërmarrin hapa të guximshëm për paqen, duke theksuar se Kosova është e gatshme të kontribuojë në këtë mision.
Përveç Kosovës, ftesë për të qenë pjesë e Bordit të Paqes ka marrë edhe Shqipëria.



Të tjera
Këto janë pesë ushqimet që parandalojnë migrenën
Mbyllen Ligat Universitare 2026, ndahen çmime për sportistët më të dalluar
Përleshje masive në Lipjan për shkak të një prone, 11 të lënduar dhe 10 persona në mbajtje