Kurti në Davos fton Kuvajtin për investime në energji, ujë dhe infrastrukturë

Kurti në Davos fton Kuvajtin për investime në energji, ujë dhe infrastrukturë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim që e ka cilësuar si produktiv me Dr. Sabeeh Al-Mukhaizeem, ministër i Energjisë Elektrike, Ujit dhe Energjisë së Ripërtërishme të Kuvajtit, njëherësh ministër në detyrë i Financave dhe ministër i Shtetit për Çështjet Ekonomike dhe Investimet, transmeton KosovaPost.

Takimi u mbajt në Shtëpinë e Kosovës në Davos, ku Kurti falënderoi autoritetet kuvajtiane për mbështetjen e vazhdueshme ndaj progresit të Kosovës, duke e cilësuar atë si bazë të rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

Sipas Kurtit, Kosova është e hapur për investime të huaja, veçanërisht në sektorë me interes strategjik si ujërat, infrastruktura dhe energjia. Ai theksoi se mandati i ardhshëm qeveritar do të fokusohet në projekte madhore, përfshirë ndërtimin e digave, stadiumeve, hekurudhave dhe zgjerimin e kapaciteteve të reja energjetike.

Kryeministri vlerësoi se këto fusha paraqesin mundësi konkrete bashkëpunimi për investitorët nga Kuvajti dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë, duke synuar zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe rritje afatgjatë për Kosovën.