Një laborator kokaine ka shpërthyer në bregun e Paqesorit, në Kolumbi, duke lënë të vdekur të paktën 9 persona.
Shpërthimi ndodhi në lokalitetin Tumako, në rajonin jug-perëndimor të Narinjos, i njohur për prodhimin e kokainës dhe i banuar nga njerëz indigjenë dhe grupe të armatosura.
Viktimat punonin për Koordinimin Kombëtar të Ushtrisë Boliviane, një fraksion renegat i ish-grupit guerrilas FARC.
Nga hetimet paraprake ka rezultuar se ka qenë një cilindër gazi që ka shpërthyer teksa përdorej për të prodhuar drogën.
Si pasojë e këtij gabimi, që autoritetet e kanë kategorizuar si “njerëzor”, godina u përfshi nga flakët brenda pak sekondash.
Fraksioni kriminal që kontrollonte laboratorin refuzoi në vitin 2016 një marrëveshje paqeje mes FARK dhe qeverisë kolumbiane, që i dha fund dekadave luftë, edhe pse sot është në bisedime me qeverinë e majtë të presidentit Gustavo Petro.
Rajoni i Narinjos, në jug-perëndim të vendit, ka qenë dhe mbetet jetik për prodhimin dhe trafikimin e kokainës drejt Shteteve të Bashkuara dhe trafikantët kanë përforcuar kontrollin me ndihmën e karteleve meksikane.
Së fundmi, vendet e Amerikës Latine kanë nisur të akuzojnë njëra-tjetrën për dështim në frenimin e trafikut të drogës dhe dhunës që ushqen ai.
Më herët gjatë javës, presidenti i Ekuadorit, Daniel Noboa i dha jetë një lufte tregtare me Kolumbinë, duke vendosur 30 për qind tarifa dhe duke akuzuar qeverinë e Petro se nuk po bën mjaftueshëm për të ndalur lëvizjen e narkotikëve në kufirin dypalësh.
Nga ana e tij, lideri kolumbian u përgjigj me tarifa të ngjashme dhe mbrojti përpjekjet e tij në luftën kundër krimit, çështje për të cilën do të takohet me presidentin Donald Trump më 3 shkurt.



Të tjera
Kurat natyrale dhe medikamentet, përse nuk duhen përzier kurrë
Protesta e opozitës, Binaj: Të shohim çfarë bëjnë fermerët dhe qytetarët në Europë
Dhimbja e familjeve të tyre është plagë e shoqërisë sonë