Basha: Nuk na nevojitet marrëveshje për një të drejtë kushtetuese

Basha: Ak*sidenti në autostradë nuk u shkaktua nga gjendja e rrugës

Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka reaguar lidhur me aksidentin tragjik të 14 qershorit në Autostradën “Dr. Ibrahim Rugova”, ku humbi jetën një qytetare, duke thënë se raporti zyrtar i Policisë së Kosovës sqaron rrethanat e ngjarjes, përcjell KosovaPost.

Basha ka shprehur ngushëllime për familjen e viktimës dhe ka reaguar ndaj pretendimeve publike për shkaqet e aksidentit.

“Aksidenti tragjik i 14 qershorit në Autoudhën “Dr. Ibrahim Rugova”, ku humbi jetën një qytetare, na preku thellë të gjithëve. Edhe një herë, shpreh ngushëllimet më të thella për familjen dhe të afërmit e saj. Fatkeqësisht, para përfundimit të hetimeve zyrtare, qarqe të caktuara me tendenca për të përfituar nga secili rast për të lëshuar akuza ndaj Qeverisë, u sulën për ta paraqitur këtë tragjedi si pasojë të rrëshqitjeve të dheut e si rezultat i mosveprimit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit. Sot, Raporti zyrtar i Policisë së Kosovës tregon që në bazë të hetimeve profesionale, drejtuesi i automjetit e ka humbur kontrollin mbi veturën, duke goditur fillimisht sinjalizimin rrugor dhe më pas elementet mbrojtëse anësore”, tha Basha.

Sipas tij, për dallim nga raportimet e pavërteta dhe akuzat e nxituara të disa politikanëve e mediave, Raporti konstaton se të dy shiritat e qarkullimit kanë qenë të lirë për lëvizje dhe se gjendja e rrugës nuk ka ndikuar në shkaktimin e aksidentit. Këto janë gjetje zyrtare të organeve kompetente.

“Kjo nuk e zvogëlon dhimbjen për jetën e humbur, por është me rëndësi që të dihet dhe të raportohet e vërteta. Faktet zyrtare tashmë i kanë rrëzuar pretendimet false dhe akuzat e atyre që u përpoqën të përfitonin politikisht nga ajo fatkeqësi njerëzore. Le të jetë ky mësim për të gjithë se tragjeditë e tilla nuk duhet të përdoren për propagandë politike dhe as për përfitime mediatike. Ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes të së ndjerës dhe qoftë i përhershëm kujtimi i saj”, ka shkruar Basha në Facebook”.