Kremtimi i 100-vjetorit të krijimit të Prefekturës së Tiranës ka shërbyer si një moment për Presidentin e Republikës, Bajram Begaj, për të përcjellë një qëndrim edhe mbi zhvillimet e fundit në vend. Gjatë fjalës së tij në këtë aktivitet jubilar, kreu i shtetit shprehu një qëndrim lidhur me protestat.
“Në respekt të pozicionit kushtetues, neutralitetit kushtetues, mund të theksoj se e drejta për t’u shprehur dhe për të marrë pjesë në jetën publike është një vlerë e mbrojtur nga Kushtetuta, e cila duhet të ushtrohet në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e vendit,” deklaroi Presidenti Begaj, duke theksuar se ky aktivitet po zhvillohet pikërisht në një moment kur qytetarët po shprehin publikisht dhe në mënyrë paqësore shqetësimet dhe pritshmëritë e tyre.
Sipas kreut të shtetit, raporti i ndërsjellë midis angazhimit qytetar dhe përgjegjësisë së institucioneve publike mbetet çelësi për konsolidimin e sistemit demokratik në Shqipëri.
“Konsolidimi i demokracisë dhe zhvillimi i qëndrueshëm i vendit mbështeten në angazhimin e përbashkët të qytetarëve dhe institucioneve për të vepruar në përputhje me Kushtetutën dhe interesin kombëtar dhe atë publik. Korniza kushtetuese, së bashku me rregullat e shtetit ligjor dhe demokracisë përbëjnë garancinë kryesore për funksionimin e drejtë të shoqërisë”, u shpreh më tej presidenti.
Presidenti i Republikës theksoi se “si President i Republikës, mbetem i përkushtuar në mbrojtje të Kushtetutës, të të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve, si dhe në nxitjen e një klime bashkëpunimi dhe dialogu që i shërben interesit kombëtar dhe publik, të ardhmes evropiane dhe përkatësisë dhe vlerave Euroatlantike të vendit“.



Të tjera
7 shenja fizike se po kaloni në depresion
Gjendet i vdekùr një i mitur në Gjakovë
Ferati për Përparim Ramën: Nuk është në shërbim të LDK-së kur ditën e zgjedhjeve postoi fotografi me Elmi Reçicën