Rama nesër në Tel Aviv, mes liderëve të rrallë që vizitojnë Izr@elin

Rama nesër në Tel Aviv, mes liderëve të rrallë që vizitojnë Izr@elin

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, renditet mes një numri të kufizuar liderësh nga rajoni dhe bota që po vizitojnë Izraelin, në një periudhë kur ky shtet ndodhet në qendër të kritikave ndërkombëtare për ofensivën ushtarake në Gaza dhe shkeljet e përsëritura të armëpushimit në periudhën e fundit.

Nga rajoni i Ballkanit, Izraelin e ka vizituar së fundmi vetëm kryeministri i Greqisë, ndërsa pjesa dërrmuese e udhëheqësve rajonalë kanë zgjedhur të mbajnë distancë politike dhe diplomatike për shkak të situatës së rënduar humanitare në Gaza.

Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë një vizitë pune në Jeruzalem, Izrael, nga data 25 deri më 27 janar, me rastin e pjesëmarrjes në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit.

Në këtë vizitë ai do të shoqërohet nga delegacioni shqiptar dhe bashkëshortja e tij, Linda Rama.

Ditën e hënë, më 26 janar, Rama do të zhvillojë një takim kokë më kokë me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, i ndjekur nga takimi mes dy delegacioneve dhe një deklaratë për shtyp. Vizita vjen në një moment kur qeveria e Netanyahut përballet me presion të shtuar ndërkombëtar për veprimet ushtarake në Gaza dhe për akuzat mbi shkeljen e marrëveshjeve të armëpushimit.

Po atë ditë, Kryeministri Rama do të pritet me ceremoni shtetërore në Knesset, Parlamenti i Izraelit, ku do të zhvillojë takime me Kryetarin e Knessetit, Amir Ohana, si dhe do të marrë pjesë në një seancë plenare speciale. Gjatë kësaj seance, Rama do t’i drejtohet Parlamentit të Izraelit me një fjalim, në kuadër të një protokolli të rezervuar për një numër të kufizuar udhëheqësish të huaj./trt