Haxhiu “godet” ashpër: Ligji për sigurime shëndetësore u miratua vetëm për propagandë elektorale!

Ish-deputeti nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu, në një intervistë për Ekonomia Online ka kritikuar ashpër ligjin për sigurime shëndetësore të miratuar në prill të këtij viti duke e cilësuar atë si veprim me qëllime propagandistike dhe jo për t’u shërbyer qytetarëve.

Sipas tij, ligji është kaluar me procedurë të përshpejtuar, ndërkohë që për funksionalizimin e plotë të sigurimeve shëndetësore kërkohen një sërë parakushtesh që ende nuk janë përmbushur.

Haxhiu tha se edhe vetë zyrtarë të Lëvizja Vetëvendosje kanë pranuar se zbatimi i ligjit kërkon kohë dhe se ai nuk mund të jetë funksional para vitit 2030.

“Është ligji i njëjtë, i cili ka ardhur në vitin 2024, është kaluar me procedurë të përshpejtuar, sa për propagandë elektorale, mirëpo si i tillë ai ligj në bazë të asaj që është paraparë, janë përafërsisht dhe 20 udhëzime administrative, në të cilat duhet të rregullohet për t’u funksionalizuar sigurimet shëndetësore. E kanë thënë edhe vetë zyrtarët e Vetëvendosjes se kjo merr kohë dhe sipas këtyre që kemi parë deri më tani, ai nuk mund të jetë funksional sipas deklarimeve të tyre, para vitit 2030, pra nuk kishin qëllime për të bërë sigurime shëndetësore funksionale, por kishin qëllim me miratuar një ligj, sa për t’i mashtruar qytetarët që gjoja ata kanë bërë një ligj, derisa ne kemi ligjin për sigurime shëndetësore prej vitit 2014, mirëpo s’kemi pasur menaxherë shëndetësorë, të cilët i implementojnë sigurimet shëndetësore. Pra, janë disa parakushte për të funksionalizuar sigurimet shëndetësore, këto janë të rëndësishme, funksionalizimi i SiShit, lista e shërbimeve të cilat i mbulon sigurimi shëndetësor, çmimorja e shërbimeve shëndetësore, edhe për 6 vite ne s’kemi parë asnjë punë që këta e kanë bërë në këto tri shtyllat kyçe, të cilat janë esenciale për funksionalizimin e sigurimeve shëndetësore dhe si i tillë pra, ishte bërë për propagandë elektorale dhe jo për t’iu shërbyer qytetarëve”, tha Haxhiu, për Ekonomia Online.

Projektligji u miratua në lexim të dytë me 80 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Projektligji synon mbulimin universal të shërbimeve shëndetësore dhe synon të përmirësojë shëndetin e mirëqenien, por edhe të parandalojë sëmundje të ndryshme, përmes një fondi të sigurimit të detyrueshëm shëndetësor.

Ndërsa më 2 qershor, Qeveria në detyrë e Kosovës ka themeluar Fondin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.