Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka reaguar ndaj mosorganizimit të Provimit të Jurisprudencës nga ana e Ministrisë së Drejtësisë (MD), përkundër obligimeve të përcaktuara me Ligjin Nr. 08/L-033 për Provimin e Jurisprudencës.
Sipas IKD-së, ky mosveprim i MD-së përbën shkelje të drejtpërdrejtë të ligjit dhe cenon të drejtat e kandidatëve, duke ndikuar negativisht në zhvillimin dhe avancimin e karrierës së tyre profesionale.
“Sipas Ligjit Nr. 08/L-033 për Provimin e Jurisprudencës [neni 4.1]: “Organizimi i provimit të jurisprudencës është kompetencë e Ministrisë së Drejtësisë”, derisa paragrafi 2 i po këtij neni parasheh se “Provimi i Jurisprudencës organizohet tre (3) herë brenda një (1) viti kalendarik”.
“Hera e fundit kur Ministria e Drejtësisë ka organizuar Provimin e Jurisprudencës ka qenë afati i prillit 2025. Gjatë gjithë vitit 2025, MD ka organizuar vetëm këtë afat të provimit, duke mos përmbushur detyrimin ligjor për organizimin e tij në tri afate brenda vitit kalendarik. Në këtë mënyrë, deri më tani, janë të paktën dy (2), e potencialisht edhe tri (3), afate gjatë të cilave Ministria e Drejtësisë ka qenë e obliguar të organizojë Provimin e Jurisprudencës, por që nuk i ka realizuar”.
“Fillimisht, kjo situatë paraqet shkelje të drejtpërdrejtë të ligjit. Përderisa ligji e përcakton qartë numrin e afateve të Provimit të Jurisprudencës që duhet të organizohen brenda një viti kalendarik, dhe përderisa Komisioni për Provimin e Jurisprudencës është funksional, nuk ekziston asnjë pengesë ligjore që ky proces të mos organizohet”, vlerëson IKD, transmeton Klankosova.tv.
Duke mos ditur arsyet e këtij mosveprimi, IKD i bën thirrje Ministrisë së Drejtësisë që të veprojë menjëherë dhe të organizojë Provimin e Jurisprudencës, në përputhje të plotë me obligimet ligjore, duke respektuar ligjshmërinë dhe të drejtat legjitime të kandidatëve.



Të tjera
Mitrovica drejt ndërtimit të spitalit të ri modern
Fjalimi i tij shkakton jehonë në mbarë botën
Drejtori i FBI-së shkakton skandal diplomatik – foli publikisht për një operacion sekret në Meksikë