Përkujtohet 36-vjetori i Masakrës së Malishevës

Përkujtohet 36-vjetori i Masakrës së Malishevës

Sot, në 36-vjetorin e Masakrës së Malishevës, u përkujtua me nderim dhe respekt vrasja e dy qytetarëve të Komunës së Malishevës, Hysni Mazreku dhe Ali Kryeziu, si dhe plagosja e dhjetëra qytetarëve të tjerë.

Me këtë rast, u bënë homazhe pranë varrezave të dy dëshmorëve, duke kujtuar një nga ngjarjet më të rënda dhe më të dhimbshme në historinë e Malishevës, të ndodhur më 30 janar 1990.

Në homazhe morën pjesë kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Fatmir Ademaj, familjarë të dëshmorëve, si dhe qytetarë të shumtë, të cilët me praninë e tyre nderuan sakrificën e dëshmorëve.

Në fjalët e rastit, u kujtua 30 janari i vitit 1990 si dita më e rëndë për Malishevën, kur protestat paqësore të qytetarëve shqiptarë u shtypën me dhunë dhe terror nga pushteti i atëhershëm, duke lënë pas të vrarë, të plagosur dhe shumë qytetarë të maltretuar.

“Krahas dhimbjes së madhe që kjo ngjarje mbart, ajo përfaqëson edhe krenarinë tonë si Malishevë, sepse institucionet lokale të asaj kohe, të prira nga kryetari i komunës, Daut Krasniqi, me bashkëpunëtorë, shënuan një kthesë të rëndësishme historike. Për herë të parë, reagimi institucional ndaj kësaj masakre u artikulua zyrtarisht, madje edhe në Kuvendin e atëhershëm të Kosovës”, tha kryetari i Komunës, Ekrem Kastrati.

Ai theksoi më tej se Komuna e Malishevës do të vazhdojë t’i përkujtojë dhe t’i nderojë vlerat dhe kontributin e dëshmorëve dhe të gjithë qytetarëve që u sakrifikuan për liri, duke e ruajtur gjallë kujtesën për ngjarjet e viteve ’90, të cilat kulmuan me luftën çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.