Kapen në flagrancë pesë persona duke tentuar të vjedhin një argjendari në Kaçanik

Kapen në flagrancë pesë persona duke tentuar të vjedhin një argjendari në Kaçanik

Pesë persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës në orët e hershme të mëngjesit të së shtunës, nën dyshimin për përfshirje në tentim të vjedhjes së rëndë në qytetin e Kaçanikut, përcjell KosovaPost.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, më 1 shkurt 2026, rreth orës 01:40, autoritetet policore kanë pranuar informacion se dy persona po tentonin të thyenin dritaren e një artarie në rrugën “Ismail Raka”.

Njësitë policore kanë reaguar menjëherë dhe në vendin e ngjarjes kanë arrestuar dy të dyshuar, shtetas të Serbisë: M.M. (36 vjeç) dhe D.T. (35 vjeç), të cilët janë kapur në flagrancë duke kryer veprën penale “tentim vjedhje e rëndë”.

Ndërkohë, rreth të njëjtës kohë, një patrullë tjetër policore ka ndaluar një veturë me targa vendore, në të cilën ndodheshin tre persona të dyshuar, shtetas të Kosovës: L.M. (48 vjeç), B.H. (42 vjeç) dhe R.F. (28 vjeç). Edhe këta persona janë shoqëruar në stacion policor për procedura të mëtejme, njofton policia.

Në vendin e ngjarjes ka dalë Njësia e Hetimeve, e cila ka kryer ekzaminimin dhe ka konfiskuar mjete të dyshuara të përdorura për kryerjen e veprës penale, përfshirë shufër metalike (hebell), dana, çelësa të ndryshëm, kaçavida, një mjet të mprehtë (skalpër) dhe doreza.

Gjatë kontrollit ndaj të dyshuarve janë gjetur edhe çelësat e një veture të tipit VW Caddy me targa vendore, e parkuar në afërsi të vendit të ngjarjes.

Sipas policisë, të gjithë të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës dhe përkthyesit, ndërsa dy prej tyre kanë pranuar përfshirjen në rast. Me urdhër të prokurorit të shtetit, pesë të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet janë duke vazhduar.

Policia Rajonale e Ferizajt ka ritheksuar përkushtimin e saj në parandalimin dhe luftimin e veprave penale, duke falënderuar qytetarët për bashkëpunim dhe duke i inkurajuar që çdo veprim të dyshimtë ta raportojnë në numrin 192 ose përmes platformës digjitale “Lajmëro Policinë”.