Prokuroria kërkoi 180 vite burg për Thaçin, Veselin, Selimin dhe Krasniqin – Juristët shpjegojnë hapat e radhës!

Gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe Kadri Veselit është në periudhën e fundit, dhe pak hapa kanë mbetur deri te vendimi i trupit gjykues të Dhomave të Specializuara të Kosovës, në Hagë, për akuzat ndaj tyre për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ata akuzohen për veprat penale që përbëjnë krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje.

Krimet pretendohet se janë kryer midis muajit mars të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit pasues në disa lokacione në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.

E gjatë ditës së Hënë është mbajtur një nga seancat ndaj tyre ku janë dhënë shumë deklarata e ajo që mori vëmendjen është deklarata nga Kimberly West, kryeprokurore e Dhomave të Specializuara në Hagë, e cila kërkoi nga 45 vjet burgim për Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

West tha se “këto krime janë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe janë të rënda si natyrë”. Sipas saj, akuzat ndaj të akuzuarve “nuk e kanë humbur peshën, por vazhdojnë ende të jenë të rënda”, edhe pse kanë kaluar më shumë se 25 vite.

Juristët kanë folur në lidhje me këtë çështje për , duke shpjeguar aspektin juridik për këtë kërkesë juridike.

Halilaj: Mbështetja e funksionimit të gjykatës nuk nënkupton paragjykim të fajësisë, por respektim të procedurës dhe të standardit të një gjykimi të drejtë

Në lidhje me këtë temë në një prononcim ka folur avokati Gazmend Halilaj.

Image

Gazmend Halilaj

Avokati synon të sqarojë se kërkesa e Prokurorisë për 180 vjet burg nuk duhet parë si dënim kolektiv apo politik, por si rezultat i dënimeve individuale prej 45 vjetësh për secilin të akuzuar.

Ai thekson se vlerësimi i kësaj kërkese duhet bërë në mënyrë strikte juridike, duke u bazuar në parimin e përgjegjësisë individuale në të drejtën penale ndërkombëtare.

“Kërkesa e Prokurorisë së Dhomave të Specializuara në Hagë për dënimin e të akuzuarve me gjithsej 180 vjet burg, respektivisht nga 45 vjet për secilin, ka nxitur reagime të shumta në opinionin publik. Megjithatë, një vlerësim i drejtë i kësaj kërkese duhet bërë kryesisht në planin juridik dhe procedural, larg emocioneve dhe interpretimeve politike.

Në aspektin juridik, duhet theksuar se Prokuroria ka kërkuar dënim individual për secilin të akuzuar, dhe shuma prej 180 vjetësh është thjesht rezultat i mbledhjes së këtyre dënimeve, e jo një dënim kolektiv apo simbolik. E drejta penale ndërkombëtare njeh parimin e përgjegjësisë individuale, dhe secili i akuzuar gjykohet veçmas mbi bazën e rolit të tij konkret, pozitës që ka pasur dhe formës së përgjegjësisë penale që pretendohet”, u shpreh ai.

Prokuroria e mbështet kërkesën e saj në natyrën dhe peshën e veprave penale të përfshira në aktakuzë, të cilat përfshijnë krime të rënda si ndalimi arbitrar, tortura, trajtimi çnjerëzor, vrasja dhe zhdukja me forcë. Në praktikën e gjykatave ndërkombëtare, këto krime konsiderohen ndër shkeljet më të rënda të së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe penale, dhe për pasojë, parashikohen dënime të larta, veçanërisht kur bëhet fjalë për veprime të përsëritura dhe të kryera në kuadër të një strukture të organizuar.

Është me rëndësi të theksohet se kërkesa e Prokurorisë nuk e obligon gjykatën. Trupi gjykues ka diskrecion të plotë që, në rast shpalljeje fajësie, të përcaktojë dënimin duke marrë parasysh jo vetëm rrethanat rënduese, por edhe ato lehtësuese, si dhe standardin e provës “përtej dyshimit të arsyeshëm””, shpjegon avokati.

Halilaj duke vazhduar bisedën thotë që e pas përmbylljes së palëve gjykata hyn në fazën e deliberimit, ku shqyrton në mënyrë të detajuar provat për secilin të akuzuar dhe mund të nxjerrë vendim fajësie ose pafajësie, me dënime që shpesh rezultojnë më të ulëta se kërkesat e Prokurorisë.

Faza e deliberimit është thelbësore dhe mund të zgjasë disa muaj, pasi gjykata duhet të analizojë në mënyrë të detajuar çdo provë dhe çdo pikë të aktakuzës për secilin të akuzuar veçmas. Vendimi përfundimtar mund të rezultojë në shpallje fajësie, pafajësie ose kombinim të të dyjave për pika të ndryshme të aktakuzës. Në rast të shpalljes fajësie, dënimet zakonisht janë më të diferencuara dhe shpesh më të ulëta se kërkesat fillestare të Prokurorisë”, potencon avokati.

Në fund, ai përçon mesazhin se procesi duhet parë si një test i drejtësisë penale ndërkombëtare, ku mbështetja e gjykatës nënkupton respektimin e procedurës dhe provave, e jo paragjykim apo ndikim nga emocionet dhe presioni publik.

“Në fund, duhet theksuar se ky proces, pavarësisht ndjeshmërisë së tij, përbën një provë të rëndësishme për funksionimin e drejtësisë penale ndërkombëtare. Respektimi i procedurës, i të drejtave të të akuzuarve dhe i standardeve të një gjykimi të drejtë është në interes të së drejtës dhe të së vërtetës, dhe jo i interpretimit politik të saj.

Përkrahja e funksionimit të gjykatës nuk nënkupton paragjykim të fajësisë, por respektim të parimit themelor se drejtësia duhet të flasë përmes provave dhe vendimeve gjyqësore, e jo përmes emocioneve apo presionit publik”, foli Halilaj.

Burjani: Fjala përfundimtare u jepet të akuzuarve para shqiptimit të aktgjykimit

Image

Blerim Burjani

Ndërsa juristi Blerim Burjani në një bashkëbisedim thotë që kërkesa e Prokurorisë bazohet kryesisht në prova indirekte dhe dëshmi të tërthorta, ndërsa mungojnë provat e drejtpërdrejta bindëse.

Ai sqaron se kjo kërkesë nuk nënkupton automatikisht dënim, pasi vendimi final i takon gjykatës, e cila vlerëson në mënyrë të pavarur të gjitha provat.

Prokuroria ka paraqitur një propozim-kërkesë para gjykatës, duke u mbështetur, sipas vlerësimit të mbrojtjes, kryesisht në prova indirekte apo në një sistem dëshmish tërthorazi, ndërsa prova të drejtpërdrejta thuajse nuk ka pasur, me përjashtim të dëshmive që Prokuroria i ka cilësuar si të tilla.

Natyrisht, propozim-kërkesa e Prokurorisë nuk nënkupton apriori dënim, pasi vendimin e merr Gjykata mbi bazën e bindjes së lirë dhe profesionale, duke i vlerësuar provat pro dhe kundër”, foli juristi.

Në fund juristi thotë që edhe pse vlerësimi i provave është në dorën e gjyqtarëve, mbetet e pazakontë kërkesa për dënim të lartë e bazuar kryesisht në prova indirekte.

Ai shton se të akuzuarve u jepet fjala përfundimtare para shpalljes së aktgjykimit.

Seleksionimi dhe vlerësimi i provave është kompetencë ekskluzive e gjyqtarëve dhe mënyra se si bëhet kjo varet plotësisht nga trupi gjykues. Megjithatë, mbetet e pazakontë që, në mungesë të provave të drejtpërdrejta dhe duke u mbështetur kryesisht në prova indirekte, të propozohet një dënim kaq i lartë. Dihet po ashtu se Prokuroria, që nga fillimi i procesit, ka pasur vështirësi në dëshmimin e fajësisë së bazuar, duke u mbështetur kryesisht në indicie, mbi të cilat ka ndërtuar këtë propozim.

Fjala përfundimtare u jepet të akuzuarve para shqiptimit të aktgjykimit, nëse gjykata vlerëson se është e nevojshme mbajtja e seancës kryesore për shpalljen e vendimit”, përfundoi Burjani